Trajner i Atletico Madridit, Diego Simeone, nuk ishte në gjendje të justifikonte eliminimin e skuadrës së nga Liga e Kampionëve nga gjermanët e RB Leipzig.
Golat nga Dani Olmo dhe Tyler Adams nënshkruan një fitore 2-1 për skuadrën e Julian Nagelsmann në ndeshjen çerekfinale e zhvilluar në Lisbonë, duke mposhtur dhe eliminuar Atleticon e Simeones.
Skuadra e Bundesligës ishte në formë mbresëlënëse në Estadio Jose Alvalade, dhe Simeone pranoi se lojtarët e tij thjesht u dominuan nga skuadra e re dinamike e Nagelsmann.
“Fituan në çdo fushë të lojës sonte. Ne e kemi pasur shumë të vështirë të imponohemi në ndeshje”, ka thënë fillimisht Simeone pas ndeshjes.
“Jam i bindur që dhamë gjithçka që kishim, por ishte e vështirë. Të mos luash për 60 ditë, dhe pastaj të kthehesh dhe të luash 11 ndeshje ligë është e vështirë”.
“Më duhet ta uroj Leipzigun. Ata luajtën me gjallëri dhe freski, dhe ne nuk mund të rivalizonim me atë, gjë që na kushtoi”, përfundoi trajneri i Atleticos.
Komente si të Simeones bënë edhe yjet e mesfushës Saul Niguez dhe kapiteni Koke, të cilët pranuan se skuadra gjermane ishte shumë e fortë për ta.
Ndryshe, RB Leipzig në gjysmëfinale do të luajë kundër kampionëve të Ligue 1, Paris Saint-Germain, javën e ardhshme, pasi klubi francez eliminoi Atalantan.
Barcelona tani përfaqëson shansin e fundit të klubeve nga La Liga për lavdinë e Ligës së Kampionëve këtë sezon, përpara ndeshjes me Bayern Munich sot (e premte), ndërsa Manchester City luan kundër Lyonit të shtunën. /Telegrafi/