Diego Simeone ka folur pas barazimit 1-1 të Atletico Madridit në udhëtim te Arsenali, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Evropës.
Atletico ka marrë një barazim shumë të vështirë në minutat e fundit, pasi për plot 80 minuta luajti me një lojtarë më pak, me mbrojtësin Sime Vrsaljko, i cili u përjashtua pas dy të verdhëve dhe Simeonen që u largua gjithashtu nga gjyqtari.
Trajneri i Atleticos ka folur pas ndeshjes, ku është ndarë i kënaqur me ekipin e tij, pasi sipas tij duhet të kesh topa për tu mbrojtur për 80 minuta me 10 lojtarë.
“Mbijetesa në Ligën e Evropës do të ishte mënyra më e mirë për ta përshkruar atë”, ka thënë fillimisht Simeone në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Mbaj mend një ndeshje në Barcelonë kur Filipe [Luis] u largua pas 13 minutash, ose në një tjetër lojë të Ligës së Kampionëve kur Torres u largua herë nga loja”.
“Ekipi ka bërë punë fantastike tash e sa vite. Në një stadium të tillë, ku Arsenali luan futboll sulmues, ekipi duhej të vazhdonte i fokusuar në çdo minutë. Kjo është gjëja më e bukur për futbollin”.
“Është shumë e vështirë të luash në Arsenal – një stadium i jashtëzakonshëm, një trajner spektakolar në anën e kundërt – me 10 lojtarë, këta lojtarë të Atleticos, me mënyrën se si luajtën dhe vendosën presing ishte e jashtëzakonshme”.
“Ju nuk keni asnjë ide se sa e vështirë është për tu mbrojtur. Futbolli është për të luajtur dhe të luajturit është pjesa e hareshme, por ju duhet të keni topa për tu mbrojtur me 10 lojtarë për 80 minuta”.
“Nëse luani normalisht ju keni më shumë mundësi [për të shënuar], por mbrojtja si kjo tregon karakterin e vërtetë – është një mesazh për ata që vijnë së bashku me ne”.
“Ishte një vit i vështirë. Shumë ndryshime, me një stadium fantastik të ri, shtëpinë tonë të re. Kemi shans 50 për qind për të kaluar”, përfundoi argjentinasi. /Telegrafi/