Diego Simeone nuk pranoi të fajësonte VAR-in pasi skuadra e tij humbi 3-1 ndaj rivalëve të Real Madridit në Wanda Metropolitano.
Gjyqtari konsultoi VAR-in në tri raste, me vizitorët që thuhet se patën dobi më të madhe, me një vendim për penallti në favor të Vinicius Junior.
Përderisa VAR-i konfirmoi golin e parë të Antoine Griezmann, ai anuloi golin e Alvaro Morata pas pushimit, duke penalizuar spanjollin për një pozitë jashtë loje.
Megjithatë, argjentinasi Simeone nuk pranoi të kërkonte arsyetime, pasi skuadra e tij ra në vendin e tretë në tabelën e La Ligas.
“Zakonisht nuk flas për VAR-in. Ky do të përmirësohet me kohë për të mirën e të gjithëve”, ka thënë fillimisht Simeone.
“Unë nuk e kam parë përsëritjen e incidenteve në fjalë – por VAR-i nuk ishte arsyeja që kemi humbur sot”.
Përkundrazi, argjentinasi preferoi t’i lavdërojë kundërshtarët e tyre dhe të kërkojë nga skuadra e tij të bëjë më shumë.
“Ishte një lojë e ashpër dhe ata ishin më të mirë se ne. Ata ishin të fortë në momentet kyçe”.
“Ne ende nuk po mendojmë për ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Kemi pasur dy humbje të dhimbshme, luajmë Rayon javën e ardhshme dhe duhet të përmirësohemi dhe të marrim veten shpejt”, përfundoi argjentinasi. /Telegrafi/