Telegrafi

Siljanovska: Në këto zgjedhje fitoi partia, e jo demokracia

Kandidatja e opozitës maqedonase për kryetare shteti Gordana Siljanovska, pas përfundimit të procesit zgjedhor, në konferencë për shtyp tha se numrat e publikuar flasin për humbje në zgjedhjet presidenciale.

Ajo tha se ndjehet çuditshëm, por asnjëherë më parë nuk ka qenë më e qetë dhe më e relaksuar. Ajo shprehu dyshime për konceptin e kundër-kandidatit të saj Stevo Pendarovski, i cili arriti fitore me konceptin “bashkë përpara”, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Ndjehem çuditshëm, numrat flasin për humbje, por asnjëherë më parë nuk jam ndjerë më e qetë dhe më e relaksuar. Nga zemra ju falënderoj gjithëve të cilët besuat se dikush që nuk është anëtar i partisë, aq shumë mund të afrohet me unionin e grave, me anëtarët, me partnerët e koalicionit e më shumë me qytetarët. Kam parë energji dhe mirëkuptim nga qytetarët dhe kam kuptuar se ajo që e kam thënë i prek ata në zemër”.

“Të marrësh besimin e shumë qytetarëve është inspirim i madh për mua. Politika në Maqedoni akoma nuk është art, politika në Maqedoni akoma është në duar të partive, ata vendosin më shumë para se gjithash se te kush do të shkojnë votat, e jo vetë qytetarët. Mund të thoni se jam e dëshpëruar, por nëse analizoni kontingjentin e votave me rrethin e parë, do të shihni se politika në Maqedoni akoma do të thotë përgjigje e pyetjes: kush, si dhe ku voton”.

“Kur thash se futem me zemër të pastër me dëshirë të madhe për ndryshime, kam menduar për këto: nuk jam penduar që kam marrë pjesë në fushatë. Jam munduar ta ngris nivelin e debatit, jam munduar të jem vetja, e të mos e harroj etikën, për këtë motoja ime ka qenë “drejtësi”, pasi ku ka drejtësi ka moral dhe etikë”, tha mes tjerash Siljanovska.

Ndryshe, sipas rezultateve të para përfundimtare të KSHZ-së, Siljanovska ka humbur zgjedhjet për kryetar shteti nga kundër-kandidati Stevo Pendarovski./Telegrafi/