Site icon Telegrafi

Sigurimi shqiptar përgjonte diplomatët e huaj tek flisnin për shëndetin e Xhaxhit: Enver Hoxha ka kancer

Sëmundja e diktatorit Enver Hoxhës ishte në qendër të diskutimeve të diplomatëve të huaj që ndodheshin në Shqipëri. Mes tyre thuhej se, Hoxha kishte kancer. Përgjimi i tyre është bërë nga Sigurimi i Shtetit dhe është ekspozuar në dhomën e përgjimeve në ‘Bunk’Art 2’. Sigurimi përgjon diplomatët!

Tiranë 29 shtator 1984

Bisedë mes Dragolub Subica, nëpunës jugosllav, dhe Jan Swietochovski, nëpunës polak. Përgjimi është bërë tek “Timoni” (objekt i survejuar) në gjuhën angleze nga ora 15.30-16.30

Dragolub Subica: Dhe papën Enver a e patë në televizor dje?

Jan Swietochovski: Jo.

Dragolub Subica: Jo?! Kancer. Jaka e tij ishte pesë numra më e madhe. Ata e treguan, mbasi televizioni Italian transmetoi një lajm të “Sunday Times”, i cili shkruante që Enver Hoxha ishte shumë rëndë. Gazetat japoneze e morën vesh nga një diplomat kinez në Tiranë.

Jan Swietochovski: Duke kaluar në “të ngarkuar me punë”. Po?

Dragolub Subica: Po. Është e qartë (qeshin me ironi). Për këtë arsye ata e nxorën në televizor Enverin dhe Byronë politike në mbledhje.

Tiranë 29 shtator 1984

Këshilltari çek Zdenek Koudellka në bisedë me sekretarin e parë çek Viktor Shrubarzh: “Është gjallë dhe drejtoi plenumin. Njeriu nuk e mëson dot përpara, në qoftëse nuk është shkruar nëpër gazeta… tani ata deshën të shikonin se kur do bëhej varrimi, ta shikonin me shirit të zi fotografinë e tij… lart e më lart në ngatërresa të tjera.. akoma më grandioze”.

Tiranë 1 tetor 1984

Dimitër Velçev, sekretar i dytë në ambasadën bullgare: “Me këtë rast shqiptarët i sqaruan ato që u thanë. D.m.th. ato nuk kanë qenë të vërteta. Ai është gjallë dhe punon normalisht. Gjithashtu është e qartë se ai si gjithmonë komandon. Kjo pritej këto ditë në Shqipëri”

Paulo Rispoli atasheh në ambasadën italiane: “Këtë gjë e bënë apostafat. E nxorën në televizor për të përgënjeshtruar fjalët që thuheshin se ai do të vdiste. Nga sa pamë, del se ai nuk është i sëmurë dhe për më tepër nuk ka vdekur. Gjithashtu nuk është në gjendje koma, sepse kjo dukej. Në qoftëse do kishte vdekur, kjo gjë mund të fshihej një ditë, por jo më shumë. Mund të publikohet që ai është i sëmurë por jo më shumë”…

23 tetor 1984

Pjetër Ivezaj atashe në Ambasadën jugosllave: “Enver Hoxha ishte shumë i zbehtë. Megjithatë nuk mbahej nga asnjeri. Unë dola deri te dera ta shihja me vëmendje dhe konstatova se ai kthehej në çdo dy tre hapa dhe duartrokiste…”!

Exit mobile version