Site icon Telegrafi

Sigurimi i Shqipërisë përndiqte edhe fëmijët, kishte bashkëpunëtorë edhe mes fëmijëve!

Autoriteti për Informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ka deklasifikuar një sërë dosjesh që kanë të bëjnë me artistët dhe jetën artistike para vitit 1990. Dosjet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, të ish-Kinostudios, Radio Televizionit Shqiptar dhe Lidhjes së Shkrimtarëve, tashmë mund të konsultohen nga studiuesit.

Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit, thotë se “Sigurimi i shtetit kishte bashkëpunëtorë në çdo institucion. Shumicën e rasteve, bashkëpunëtorët u morën me dhunë. Janë raste shumë të rralla që janë marrë në punë me dëshirë. Në ato dosje sheh dhe mëson mbi jetët e marra padrejtësisht”.

Një prej detajeve më prekëse është ajo e përndjekjes së një fëmije i cili kishte gjyshin të burgosur politik. Dalja e tij në një nga programet televizive, pasi kishte botuar në revistën “Fatosi”, do të shkaktonte furtunë në Radiotelevizionin Shqiptar.

“Është një rast shumë prekës, sepse bëhet fjalë për një fëmijë. Një nga bashkëpunëtorët e Sigurimit mëson se një fëmijë që kishte dalë në televizor kishte gjyshin të burgosur politik dhe Sigurimi ngre alarmin. U kritikuan të gjithë ata që lejuan ose që ishin të përfshirë, që nga revista ‘Fatosi’, redaksia e RTSh-së dhe drejtoresha e shkollës. U kritikuan për sjellje liberale”.

Për rastin e RTSh-se, Sigurimi kishte krijuar një skemë duke shpërndarë bashkëpunëtorët e vet në çdo redaksi, që nga fëmijët te orkestra, apo fototeka. /BW/

 

Exit mobile version