Ish-zyrtari i Sigurimit të Shtetit, Zoran Stijoviq, tha në Gjykatën Speciale të Beogradit se beson se letrat në lidhje me vrasjen e gazetarit Sllavko Çuruvija në prill të vitit 1999, u shkatërruan menjëherë pasi regjimi i Sllobodan Millosheviqit u rrëzua me dhunë vitin pasardhës.
“Sipas deklaratave nga oficerët që kanë punuar për shërbimin, mund të mësohej se dokumentacioni nga i gjithë Serbia u shkatërrua në Institutin e Sigurimit të Beogradit mbrëmjen midis 7 dhe 8 tetorit 2000”, dëshmoi Stijoviq.
Më 5 tetor 2000, Millosheviqi u rrëzua nga pushteti me një kryengritje popullore. Stijoviq pohoi se Shërbimi i Sigurimit mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt në përgatitjen e vrasjes së Çuruvijës, familja e të cilit beson se ai u vra për shkak të kundërshtimit të tij ndaj Millosheviqit. Megjithatë, Stijoviq tha se ai nuk e di saktësisht se kush e urdhëroi, organizoi dhe qëlloi Çuruvijën.
Dushan Mihajloviq, i cili shërbeu si ministër i Brendshëm serb nga viti 2000 deri në vitin 2004, tha në gjykatë të mërkurën se ai kishte marrë informacione se shërbimi sekret ishte organizator i vrasjes së Çuruvijës. Sipas aktakuzës, një ‘”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i Sigurimit të Shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tre ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes. Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.
Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.
Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator të vitit të kaluar u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000. /BIRN/kallxo.com/