Telegrafi

Siguria në Kosovë, kryeprokurori takohet me Task Forcën Britanike të KFOR-it

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, është takuar sot me përfaqësues të Task Forcës Britanike të KFOR-it në Kosovë ku temë e diskutimit ishte siguria në vend.

Sipas njoftimit, bëhet  e ditur se kryeprokurori Isufaj dhe përfaqësues të Task Forcës Britanike të KFOR-it, gjatë takimit të sotëm kanë biseduar për nevojën e koordinimit në mes të institucioneve të sigurisë në vend.

Kjo, siç thuhet në njoftim për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe intensifikimit të takimeve të përbashkëta për funksionimin, punën dhe angazhimin e institucionit të Prokurorisë Speciale.

“Përfaqësuesit e Task Forcës Britanike të KFOR-it, kanë shprehur gatishmërinë për të siguruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët, ndërkohë që po vazhdojnë të monitorojmë nga afër situatën e sigurisë, si dhe kanë ofruar bashkëpunim me Prokurorinë Speciale”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kryeprokurori Isufaj ka theksuar përkushtimin për të koordinuar veprimet institucionale që garantojnë sundimin e rendit dhe ligjit.

“Me këtë rast Isufaj, ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për angazhimin e vazhdueshëm të Task Forcës Britanike të KFOR-it, si dhe i falënderoi për kontributin e tyre në forcimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/