Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar në Tel Aviv, Izrael, kompaninë CheckPoint, lider botëror në Sigurinë Kibernetike.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau momente nga takimi me themeluesin e kësaj kompanie, Gil Shwed.
“Një vizitë tejet mbresëlënëse në kompaninë CheckPoint, lider botëror në Sigurinë Kibernetike, ku pata privilegjin e takimit me themeluesin e saj, legjendën e teknologjisë së lartë në Izrael, Gil Shwed”, theksoi Rama.
Vizita e fundit e kryeministrit Rama në Izrael ishte në tetor të vitit të kaluar, ku në fokus të takimeve me zyrtarët izraelitë ishte siguria kibernetike dhe sulmet kibernetike iraniane ndaj vendit tonë.
Takimi i fundit vjen në një moment kur në Shqipëri kanë filluar hetimet për përfshirjen e mundshme të muxhahedinëve që strehohen në Durrës në veprimtari ta paligjshme politike, përfshirë këtu edhe sulme kibernetike. /Telegrafi/