Sigal Prishtina do të debutojë sonte në Ligën e Kampionëve në basketboll ku do të përballet me skuadrën bjelloruse, Tsmoki Minsk.
Ndeshja do të fillojë në orën 18:30, ku Prishtina është vënë pas fitores së parë në këtë garë.
Trajneri Ahmet Kandemir thotë se ekipi i Sigal Prishtinës është gati dhe pret nga “trimat” e tij që në parket ta japin më të mirën për ta eliminuar kundërshtarin.
Ai e sheh këtë si një mundësi të mirë për ta promovuar edhe basketbollin kosovar në Evropë.
“Pas pranimit në FIBA është hapur një dritare e re për basketbollin dhe për shtetin e Kosovës. Është një mundësi e mirë për lojtarët vendorë që t’i shfaqin vlerat e tyre”.
“Në Ligën e Kampionëve bëjnë pjesë ekipe me buxhet të lartë dhe shumë serioze. Për ne është një fillim i ri. Por, kapaciteti i lojtarëve e luan rolin kryesor dhe mund të jetë më i rëndësishëm sesa buxheti i një klubi”, theksoi fillimisht trajneri turk.
“Ne e kishin një kohë mjaft të shkurtër për t’u përgatitur, por lojtarët kanë reaguar mjaft mirë dhe jemi mjaft të përgatitur. Në këtë fazë është më mirë që lojën e parë ta zhvillosh si mysafir, sidoqoftë ne do të mundohemi t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Do të punojmë në këtë drejtim. Unë besoj dhe shpresoj në përkrahje të madhe të tifozëve, që bashkërisht ta arrijmë fitoren e parë”, vazhdoi Kandemir, sipas të cilit për klubin, por edhe për shtetin kjo është një ndeshje e rëndësishme.
Për ata që duan të shkojnë në palestër, respektivisht në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, çmimi i biletave për ndeshjen e sotme ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Tsmoki Minskut është 3 euro.
Në sezonet e fundit, ndeshjet e Bardhekaltërve i ka transmetuar Supersport Kosova, mirëpo tash e tutje, skuadrën më të madhe kosovare do të mund ta shohim diku tjetër.
“Me qëllim që të jemi sa më afër qytetarëve (shikuesve) dhe pa asnjë obligim shtesë për ta sa i përket pagesës së transmetuesve privat, këtë edicion kemi vendosur që të gjitha ndeshjet tona të transmetohen në televizion publik (RTK)”, thuhet në njoftimin e klubit. /Telegrafi/