Kampionia e Ballkanit dhe Kosovës, Sigal Prishtina është e shqetësuar me infrastrukturën sportive aktual që është në kryeqytet dhe në Kosovë.
Prishtinasit përmes një deklaratë kanë shprehur shqetësimin lidhur më këtë çyshtje, madje sipas tyre, pikërisht për shkak të infrastrukturës së dobët, kjo skuadër nuk do të mund të vazhdojë garimin në garat e FIBA-së.
Sigal Prishtina i bën edhe një herë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të ulen sa më shpejtë që të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.
Ja deklarata e plotë e Sigal Prishtinës:
KB Sigal Prishtina shpreh mirënjohjen më të lartë për sukseset e basketbollit kosovar të viteve të fundit në të gjitha nivelet duke konsideruar që kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në njohjen dhe afirmimin e tij në arenën ndërkombëtarë.
KB Sigal Prishtina shpreh shqetësimin më serioz të mundshëm me gjendjen ekzistuese infrastrukturore, e cila jo vetëm që nuk i përmbushë standardet ndërkombëtare, por tashmë për shkak të mungesës së infrastrukturës nuk do të mund të vazhdojmë garimin tonë në garat e FIBA-së.
Duke qenë të vetëdijshëm për këtë gjendje dhe duke marrë parasysh thirrjet e shumta që kemi bërë drejt organeve përgjegjëse konsiderojmë që ky është momenti i fundit për të ndërrmarrë masa konkrete që kjo gjendje të përmirësohet para fillimit të edicionit të ri, e sidomos edhe për faktin që sivjet reprezentacioni i Kosovës duhet t’i zhvillojë ndeshjet kualifikuese për Eurobasket.
Përveç kësaj zgjidhjeje afatshkurtër për sezonin që vjen, tregojmë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, në veçanti me Komunën e Prishtinës, që të bëjmë një zgjidhje afatgjatë për ndërtimin e një palestre e cila i plotëson të gjitha standardet ndërkombëtare dhe që i shërben zhvillimit të sportit në përgjithësi, të basketbollit në veçanti, si dhe të gjithë sportdashësve e qytetarëve të kryeqytetit tonë.
Gjendja në të cilën ndodhemi është shumë serioze, si dhe njëkohësisht është për keqardhje të madhe që një klub me kaq suksese edhe brenda edhe jashtë Kosovës të mos ketë ku t’i zhvillojë aktivitetet e veta, e për më keq edhe t’i pamundësohet pjesëmarrja në garat ndërkombëtare.
KB Sigal Prishtina i bën edhe një herë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të ulemi sa më shpejtë që të gjejmë zgjidhjet e lartpërmendura afatshkurtëra dhe afatgjata.