Në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që kanë nisur më 6 qershor dhe do të mbahen deri më 9 qershor, përcaktohet se kush do të fitojë ulëse në këtë institucion të BE-së.
Presidentja aktuale e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njëra prej politikaneve më të fuqishme të Evropës, është duke garuar për një mandat të dytë në zgjedhjet evropiane.
“Jam evropiane krenare, nënë e shtatë fëmijëve, dhe jam duke garuar për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian”, është mënyra se si e prezanton veten von der Leyen në faqen e saj zyrtare.
Si zgjedhet presidenti i Komisionit Evropian?
Presidentët e Komisionit, zyrës më të fuqishme në mesin e institucioneve të Bashkimit Evropian, nuk zgjidhen përmes votës.
Ata gjithmonë zgjidhen në negociata me dyer të mbyllura mes liderëve të 27 vendeve anëtare të bllokut evropian, pas mbajtjes së zgjedhjeve evropiane.
Parlamentit Evropian, më pas, i kërkohet të miratojë të nominuarin me shumicë të thjeshtë.
Propozimet nuk refuzohen kurrë, mirëpo Parlamenti e ka konfirmuar von der Leynin vetëm me shumicë të thjeshtë në vitin 2019.
Për të kuptuar më mirë këtë proces, duhet analizuar procesin e ashtuquajtur Spitzenkandidat apo atë të “kandidatit kryesor”.
Në këtë pikë, grupet pan-evropiane politike i çojnë përpara emrat e tyre për të udhëhequr Komisionin Evropian.
Mirëpo von der Leyen nuk do të ishte këtë vit kandidatja kryesore e Partisë Popullore Evropian, nëse veçse nuk do të ishte presidente e Komisionit.
Të 26 komisionarët e tjerë
Pas emërimit të presidentit të Komisionit Evropian, secili vend anëtar nominon komisionarin e vet, duke garantuar që të gjitha vendet anëtare e dërgojnë një person në këtë institucion.
Zyrtari që zgjidhet në krye të Komisionit e ngarkon më pas secilin komisionar me një portofol, sikurse në fushën e bujqësisë apo energjisë, dhe secila prej tyre duhet të konfirmohet prej Parlamentit Evropian.
Ndonëse vendimi për secilën punë i takon presidentit, përgjatë procesit ka negociata të ashpra rreth asaj se si ndahen departamentet dhe cili është më i rëndësishëm se tjetri.
Një pozitë tejet e rëndësishme është ajo e Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme, i cili flet në emër të të gjitha vendeve anëtare për çështjet e Politikës së Jashtme.
Por, përgjatë procesit, mund të ndodhin një mori komplikimesh, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në vitin 2019, von der Leyen pati insistuar që shumica e komisionarëve të jenë gra, që në praktikë ka nënkuptuar që disa shtete kanë pasur më shumë mundësi për të zgjedhur, sesa tjerat.
Pozita e presidentit të Parlamentit Evropian
Presidenti i Parlamentit Evropian që menaxhon marrëdhëniet mes institucioneve tjera të BE-së dhe zhvillon negociata në mes të grupeve politike, zgjidhet prej Parlamentit për një mandat prej dy vitesh e gjysmë.
Presidenti i Parlamentit është gjithmonë anëtar i Parlamentit Evropian – aktualisht është konservatorja nga Malta, Roberta Metsola.
Këshilli i Bashkimit Evropian
Ngjashëm, liderët e vendeve anëtare të BE-së e zgjedhin edhe udhëheqësin e këtij institucioni për një mandat dy vjet e gjysmë, ndonëse gati secilën herë një zyrtar i ka dy mandate.
Për dallim prej presidentit të Parlamentit, presidenti i Këshillit Evropian nuk duhet të jetë anëtar i këtij trupi.
Shembull, tani në krye të Komisionit është kryeministri belg, Charles Michel, derisa Belgjika përfaqësohet në Këshill prej kryeministrit aktual, Alexandre de Croo.