Fjalimi i Dua Lipës në Këshillin Atlantik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë bujë të madhe në rrjetet sociale.
Artistja, që deri më tani ka fituar një sërë çmimesh, e ka nisur me një përshëndetje për të pranishmit në gjuhën angleze, e më pas vazhdoi edhe në shqip.
Teksa doli në skenë për të folur rreth Kosovës, ylli me famë botërore tha: “Siç e themi në Kosovë, Mirëmbrëma”.
26-vjeçarja u shpreh jashtëzakonisht e lumtur për çmimin teksa theksoi se i dedikohet të rinjve të Kosovës.
“A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova do të mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte dhimbjen e konfliktit? Me këtë vizion në mendje, unë e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës”, tha ajo.
Në ndarjen e çmimeve, Këshilli Atlantik bëri me dije se këngëtarja e pikturoi vendlindjen e prindërve të saj si një qendër kulturore.
“E nderuar për përpjekjet e saj për të ndihmuar Kosovën përmes Fondacionit të saj Sunny Hill, i cili synon të përmirësojë cilësinë e jetës në kombin e ri, artistja me origjinë shqiptare e pikturoi vendlindjen e prindërve të saj si një qendër kulturore të lulëzuar ‘duke shpërthyer me kreativitet’”.
Siç u tha më tej në këtë këshill, “plagët e luftës mbeten të dukshme dhe madje edhe brezi i ri lufton për të kapur mundësitë për t’u rritur, për të punuar dhe për të udhëtuar”.
“Wouldn’t it be fitting if Kosovo could take its place within that peaceful union, thrive economically alongside our neighbors, and heal the hurt of conflict? With that vision in mind, I accept this award with gratitude for all the young people of Kosovo.” – @DUALIPA #ACawards pic.twitter.com/TCyT1B9Vzp
— Atlantic Council (@AtlanticCouncil) November 11, 2021
Në këtë ngjarje Lipa tutje deklaroi se, “Kemi vetëm 13 vjet të pavarur në rrugëtimin tonë të pavarësisë dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona”.
Këshilli Atlantik duhet cekur se ndau çmime individëve shembullorë që kontribuuan në një gamë të gjerë fushash. /Telegrafi/