Adelina Ahmeti, psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë në një intervistë për Telegrafin, ka folur për menaxhimin e situatës në një familje e cila ka fëmijë, në kohën e pandemisë së coronavirusit.
Ahmeti ka thënë se për shkak të coronavirusit (Covid-19), gjendja në Kosovë nuk është aspak e këndshme.
“Ajo çfarë neve na brengos, pra pyetjet e shumta që i kemi janë si ta menaxhojmë situatën brenda familjes, aq më pak kur kemi fëmijë brenda familjes. Shumë varet menaxhimi i situatës brenda familjes, se si prindërit e menaxhojnë frikën dhe ankthin e vet karshi fëmijëve. Gjithashtu edhe qasja e prindërve në raport me fëmijët, duhet të kemi kujdes sa i përket grupmoshave, pasi që e dimë se sa fëmijët janë të ekspozuar ndaj rrjeteve sociale, sigurisht që fëmijët kanë informata ndoshta edhe më shumë së prindërit, mirëpo nuk jemi të sigurt se çfarë informatave kanë fëmijët. Duhet kemi parasysh grupmoshat e fëmijëve, ndryshe i qasemi një fëmije të moshës deri tri vjet edhe komplet kemi qasje tjetër ndaj fëmijëve të moshës më të rritur. Prandaj, te fëmijët e moshës deri tre vjeçare duhet të jetë më atraktive, më lozonjare, ndërsa fëmijët e moshës adoleshente qasja ndaj tyre duhet të jetë realistike”, ka deklaruar ajo.
Gjatë intervistës, Ahmeti tha se në këtë kohë prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shohin se çfarë informatash kanë fëmijët./Telegrafi/