Site icon Telegrafi

Si do të shkojë të dielën procesi zgjedhor në katër komunat në veri? Flasin njohësit e sigurisë

Të dielën, më 23 prill qytetarët e katër komunave në veri do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e ardhshëm që do të qeverisin me Mitrovicën e veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin.

E kur kanë mbetur më pak se 48 orë deri në mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

Lidhur me situatën e sigurisë dhe ditën e zgjedhjeve, të 23 prillit kanë folur për Telegrafin njohës të fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi dhe Avni Islami.

Njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi theksoi se qytetarët në veri të vendit janë të terrorizuar nga presionet që ia bën qeveria serbe.

Ai tha se jeta në veri të vendit po zhvillohet në kushtet e një terrori shtetëror.

Lexo po ashtu Zgjedhjet në veri, Policia e Kosovës: Kemi ndërmarr masa për ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

“Fatkeqësisht, iniciativën dhe veprimet në veri i ka Qeveria e Serbisë, e cila përmes grupeve të organizuara terroriste, terrorizon popullatën serbe e cila ndodhet atje, dhe ato pjesë të komuniteteve tjera që jetojnë atje. Jeta zhvillohet në kushtet e një terrori shtetëror që e organizon Qeveria e Serbisë për sigurimet e saj politike”, tha ai.

Fadil Kajtazi, njohës i sigurisë

Kajtazi tha se organet legjitime të Republikës së Kosovës nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të vendosur ligjin në veri.

E, sa i përket mundësisë së tensionimit të situatës në veri në ditën e zgjedhjeve, Kajtazi vlerësoi se: “Është një gjendje jo e mirë, e tensionuar të cilën e tensionojnë edhe më shumë zgjedhjet, i cili është një mjet juridik përmes së cilit Qeveria e Kosovës po tenton të vendos atje pushtetin, rendin dhe ligjin. Kjo nuk i konvenon Qeverisë së Serbisë dhe do të tentojë që mos të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve, të ju bëj presion atyre që kanë kandiduar që të tërhiqen nga zgjedhjet, dhe do të ketë raste të manifestimit të dhunës…mund të ketë sulm në qendrat e votimit, të ketë sulm të qytetarëve”.

Ai tha se më e shumta që mund të bëj shteti i Kosovës është që të organizoj prani të policisë në të gjitha qendrat e votimit.

“Mirëpo, beteja zhvillohet jashtë qendrave të votimit. Beteja zhvillohet dhe në rrafshin psikologjik, dhe këtu Qeveria e Kosovës ka kapacitete të vogla për të ndikuar, dhe prandaj themi që këto zgjedhje mund të përcillen me tensione”, tha ndër të tjera, Kajtazi.

Lexo po ashtu Zgjedhjet në veri, kandidatja për kryetare në Zveçan: Një nga gjërat më të mençura që ka bërë Lista serbe është bojkoti i institucioneve

Ndërsa, profesori Avni Islami tha se në zgjedhjet që do të mbahen më 23 prill mund të ketë ndonjë incident sporadik. Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore.

“Çështja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, u bë për shkak të dorëheqjes së Listës serbe nga institucionet e Kosovës, vendim politik i përkrahur nga Beogradi. Herën e fundit kur ishin paraparë të mbahen zgjedhjet, bashkësia ndërkombëtare ishte kundër mbajtjes së tyre. Tash në këto zgjedhje bashkësia ndërkombëtare është e interesuar, sepse pa u mbajt zgjedhjet nuk ka se si të formohen institucionet e Kosovës, dhe ekskluzivisht është fjala për Asociacionin e komunave sepse Serbia nuk është e interesuar që të implementojë ndonjë marrëveshje..”, ka thënë Islami.

Anvi Islami, njohës i sigurisë

Tutje, njohësi i sigurisë tha se nuk pret incidente të mëdha e të theksuara, por mund të ketë ndonjë incident të vogël.

“Pra, për mbajtjen e zgjedhjeve të dielën edhe QUNT-i doli që t’i përkrah zgjedhjet sepse duhet të mbahen, pasi atje kemi një vakum institucional. Unë pres që zgjedhjet të mbahen të qeta, edhe pse mund të ketë ndonjë incident sporadik që është i organizuar nga grupet e ndryshme kriminale, Lista serbe të cilat janë nën kontrollin e Aleksandar Vuçiqit”, vlerësoi Islami.

Ndryshe, ditë më parë ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat do të mbahen në katër komunat në veri të Kosovës.

QUINT-i kërkon që zgjedhjet në veri të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt. /Telegrafi/

Exit mobile version