Site icon Telegrafi

Si do të jenë plazhet e Kroacisë gjatë kësaj vere, flet kreu i Institutit kroat të Shëndetit Publik  

Kreu i Institutit të Shëndetit Publik në Kroaci, Krunoslav Capak, ishte ftuar si mysafir në emisionin e mëngjesit “Dobro Jutro, Hrvatska”, ku ka folur për situatën aktuale me COVID-19 në Kroaci.

Gjithashtu janë trajtuar temat si situata epidemiologjike, kërcënimi nga një valë e dytë gjatë vjeshtës, e Capak ka treguar nëse gjatë kësaj vere pushuesit do të mund të frekuentojnë plazhet, transmeton Telegrafi.

Ai me një bindje të fortë tha se qytetarët sigurisht se do të mund të shijojnë rrezet e diellit nëpër plazhet e Kroacisë, por sipas tij nuk do të jetë njëjtë sikurse në të kaluarën.

Lexo po ashtu Lezhë, fillojnë përgatitjet për hapjen e pjesshme të sezonit veror më 18 maj

“Nuk do të ketë turma nëpër plazhe. Do të ketë zyrtarë lokalë, pronarë të plazheve apo konsesionarë që do të duhej të brengoseshin dhe të siguroheshin që nuk do të ketë kontakt fizik – nuk do të ketë peshqirë të shtrirë njëri pranë tjetrit”, ka deklaruar Capak.

Ndërkaq kur është pyetur nëse qytetarët do të mund të vizitojnë ishujt, Capak tha se masat kufizuese ngadalë janë duke u zbutur, por sipas tij jo gjithqka duhet të zbutet për një moment.

Ai ka folur edhe për trafikun brenda vendit, ku sipas zyrtarëve të shëndetit publik masat kufizuese pritet të zbutën edhe në këtë aspekt. Capak tha se nëse banorët e ishujve duan që mysafirët dhe turistët e tyre të shkojnë, gjithçka mund të organizohet.

Gjatë emisionit të mëngjesit ai ka folur edhe për udhëtimet nga njëri shtet në tjetrin pa pasur nevojë për “e-pass”, për të cilin Capak thotë se pritet të diskutohet me organet kompetente në ditët në vijim.

Sa i përket kafiterive dhe bareve e restoranteve, ai shpjegoi se si do të funksionojnë në kohën kur coronavirusi vazhdon të merr jetë njerëzish nëpër botë.

“Nëpër kafene të ndryshme mund të vendoset një lloj xhami mbrojtës për arkëtarin, por në restorante një gjë e tillë është e pakuptimtë. Kështu që do të kërkojmë që higjiena të jetë në nivel të dezinfektohet gjithçka. Gjatë të dielës pata rastin të shoh një paralajmërim në kishë, ku shkruante: familjarë mund të ulen së bashku. Njëjtë mund të funksionojë edhe nëpër restorante. Gjithçka mund të organizohet dhe shpresoj që kjo të fillojë gjatë javës së ardhshme”, tha për fund kreu i Shëndetit Publik të Kroacisë. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version