Kini kujdes se me çfarë ushqimi mund të rregulloni shtypjen e gjakut nëse vuani nga hipotensioni
Personat të cilët vuajnë nga tensioni i ulët i gjakut më së shpeshti ankohen në vështirësitë e zgjimit nga gjumi, përgjumje, marramendje, rraskapitje, lodhje të shpejtë, humbje vullneti, përqendrim dhe memorie të dobët.
Në raste të shumta, me aplikimin e ilaçeve natyrore të zakonshme dhe lehtë të arritshme, shtypja e ulët e gjakut mund të mbahet nën kontroll dhe me sa më pak simptoma, madje edhe mund të rregullohet tërësisht, transmeton Telegrafi.
Shtypja e gjakut është më e ulëta gjatë orës së parë pas ngrënies. Ajo bie, për shkak se organet për tretje kanë nevojë për gjak për ta kryer funksionin e tyre. Ky efekt është më i dobët, nëse konsumoni porcione më të vogla të ushqimit (tri shujta kryesore dhe dy zamra).
Bëni kura magnezi dhe kaliumi që gjenden kryesisht tek ushqimet e sidomos te bananet. Aleatë të tjerë kundër tensionit të ulët janë gjithashtu jamballi, lëngu i panxharit, shega dhe rrushi pa fara.
Është e nevojshme që të konsumoni një sasi më të madhe të kripës, sigurisht duke mos e ekzagjeruar.
Pini ujë dhe lëngje! Është shumë me rëndësi që gjatë ditës të pini shumë ujë dhe lëngje. Pos ujit, mund të pini lëngje dhe lloje të çajit. Limonada është e shëndetshme.
Ndalohet alkooli! Alkooli nxit largimin e lëngjeve nga organizmi dhe pengon punën e qendrës për ekuilibër në tru.
Në situata emergjente, si për shembull në rastin e rënies të menjëhershme të tensionit, duhet të pini një gotë me ujë dhe sheqer ose thjesht të vendosni një lugë me sheqer në gjuhë. Efekt të njëjtë ka edhe pirja e kakaos, kafes dhe e çajit, pasi të gjitha mundësojnë ngritjen e tensionit.
Nëse keni problem me shtypje të ulët të gjakut, dushin gjithmonë përfundojeni me ujë të ftohtë.
Kur të shtriheni në shtrat, vendosini disa jastëkë nën kokë dhe qafë, në mënyrë që kalimi nga pozita e shtrirë në të ulur të mos jetë tepër impulsiv. Në këtë mënyrë do ta shmangni marramendjen.
Po kështu duhet të bëni shumë aktivitet fizik, por duhet të mos dilni gjatë orëve më të nxehta apo të kryeni sforcime të tepruara.
Nëse vuani në mënyrë konstante nga tensioni i ulët është e këshillueshme që të bëni një vizitë te mjeku specialist, i cili do të mund t’ju japë një kurë më të saktë për problemin tuaj. /Telegrafi/