Prindërit shpeshherë i drejtohen menjëherë farmacisë më të afërt kur bebja e tyre sëmuret. Por Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) paralajmëron se disa medikamente mund të mos jenë aq efektive për trajtimin e simptomave të gripit te bebet dhe mund të jenë të rrezikshme për fëmijët më të vegjël se 6 vjeç.
Por kjo nuk do të thotë se fëmija juaj duhet të vuajë. Qoftë nëse bebja ka filluar të kollitet apo ka simptoma tjera gripit, ju mund t’i provoni këto dy ilaçe shtëpiake, transmeton Telegrafi.
METODA E PARË: Lëreni të pushojë (për fëmijët e të gjitha moshave)
Si ndikon kjo: Duhet energji për ta luftuar një infeksion dhe kur fëmija pushon, ai shërohet, gjë e cila i duhet atij. Studimet tregojnë se edhe stresi luan një rol të rëndësishëm sa i përket sëmundjeve. Nëse fëmija është nën presion – për shkak të shkollës, miqve apo diçka tjetër ka ndodhur në shtëpi – mundësojani atij të pushojë sepse kjo i duhet.
Çfarë ju duhet për këtë metodë: Një vend komod që të pushojë fëmija dhe aktivitete të lehta për ta mbajtur të zënë.
Çfarë duhet të bëni: Tani është koha ta lini fëmijën ta shikojë videon e preferuar apo t’i dhuroni një libër për ta ngjyrosur. Jo domosdoshmërish duhet të qëndrojë në shtrat për të pushuar, ndonjëherë edhe aktivitetet e lehta jashtë shtëpisë kanë efekt të njëjtë.
METODA E DYTË: Konsumimi i më shumë lëngjeve (për fëmijët e të gjitha moshave)
Si ndikon kjo: Konsumimi i shumë lëngjeve e parandalon dehidratimin, i hollon mbetjet e hundës te bebja dhe i largon ato.
Çfarë ju duhet për këtë: Duhet ta ushqeni beben me gji, ujë dhe lëngje tjera të cilat i pëlqejnë bebes.
Çfarë duhet të bëni: Për bebet më të vogla se 12 muajsh, mjafton ushqimi i shpeshtë me gji apo me shishe për ta mbajtur të hidratuar. Ndërsa për fëmijët më të vjetër bën edhe uji i thjeshtë, edhe pse kjo mund të mos e tërheqë fëmijën. /Telegrafi/