Dhënia me sukses e ilaçit fëmijës nganjëherë kërkon mjaft kreativitet. Po i japim disa këshilla të dobishme, transmeton Telegrafi.
Përgatitni pastë magjike
Nëse bebja juaj nuk e merr ilaçin edhe në gjendje të lëngët, është mirë ta pyesni pediatrin tuaj në mos ekziston ilaç i njëjtë në formë tabletash. Nëse mund të gjeni ilaçin në formë tabletash, atëherë shtypeni dhe shtoni disa pika uji në mënyrë që të bëni një pastë të trashë. Me maje të gishtit vini një sasi të vogël të pastës në brendi të gojës së bebes, bebja do ta përpijë pa rezistuar.
Kjo mënyrë me siguri do të ketë sukses
Arma e fshehtë për dhënien e ilaçit “pështyrësve” të papërmirësueshëm është i ashtuquajturi “xhep i vockël” në gojë. Para se t’ia filloni kësaj procedure, ilaçin duhet ta mbani afër. Vendoseni kokën e bebes në anën e brendshme të krahut të dorës suaj.
Me pëllëmbën e së njëjtës dorë mbulojeni gojën e bebes dhe me gishtin tregues apo me të mesmin tërhiqeni lehtësisht këndin e gojës. Në atë mënyrë do të krijoni “xhepin e vockël” në gojë. Me dorën tjetër pikojeni ilaçin në “xhep” pak nga pak.
Me këtë veprim gojën e fëmijës mund ta mbani të hapur, ndërkaq koka nuk do t’i lëvizë.
Maskojeni ilaçin
Nëse fëmija është i rritur, tabletën e shtypur mund ta fshihni në një sandviç, të cilin do t’ia bëni gati. P.sh. mund t’ia përzieni në pekmez apo qumësht. Pasta prej tablete dhe uji mund të fshihet edhe në gjalpë.
Para se të aplikoni këtë metodë, pyeteni mjekun se ilaçi që e keni blerë a bën të merret bashkë me ushqimin. Veç kësaj, shumë ilaçe merren edhe pas ushqimi, dhe nëse edhe kjo është rregull edhe për ilaçin që e keni blerë, më mirë është të përdorni ndonjërën nga metodat e tjera.
Kullishtja apo luga
Luga është më e lehtë të shfrytëzohet. Për të qenë të sigurt se fëmija e ka marrë tërë ilaçin, derisa t’ia hiqni lugën, fërkojeni butësisht për pjesën e epërme të gojës së fëmijës.
Me kullishte bari jepet lehtë. Vëreni në mes të anës së brendshme të gojës dhe të mishit të dhëmbëve, pastaj hidhni disa pika dhe prisni që fëmija të përpijë ilaçin.
Kujdes me gjuhën e bebes
Gjatë dhënies së ilaçit kujdesuni për pjesët e ndjeshme të gojës së bebes. Pjesa më e madhe e receptorit të shijes gjendet në anën e parë dhe në mesin e gjuhës. Ngacmimi i qiellzës dhe i pjesës së prapme të gjuhës mund të shkaktojë vjellje.
Rajoni më i mirë për dhënie të ilaçit është midis anës së brendshme të gojës dhe të mishit të dhëmbëve, në drejtim të pjesës së fundit të gavrës së gojës.
Injeksioni në vend të tabletës
Nëse beben e ka lodhur shumë sëmundja, saqë nuk është në gjendje ta përpijë antibiotikun, apo vjell shumë, është shenjë se gjendja e saj është përkeqësuar, andaj duhet patjetër ta çoni te mjeku. Shpeshherë një injeksion antibiotiku mund të përmirësojë gjendjen dhe që pastaj mund të vazhdohet terapia orale.
Kini kujdes me dozat
Shumica e ilaçeve absorbohet për rreth 30 deri 45 minuta. Në qoftë se bebja ka arritur ta mbajë ilaçin për aq kohë, nuk duhet plotësuar dozën. Mirëpo, nëse vjell menjëherë, dozën duhet përsëritur, përpos në rastet kur bëhet fjalë për dozat tejet precize, të theksuara në udhëzim të mjekut.
Nëse nuk arrini që fëmijës t’ia jepni ilaçin për ulje të temperaturës, pyeteni mjekun në mos ekziston ndonjë mënyrë tjetër që terapia të aplikohet me sukses. Në disa raste ndihmojnë supozitorët, të cilët pengojnë vjelljen dhe i jepen fëmijës 20 deri në 30 minuta para dhënies orale të ilaçit. /Telegrafi