Në shenjë revolte ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, me mjete të ndryshme (të parrezikshme), qytetarë të shumtë kanë dalë në ballkonet e tyre për të protestuar.
Revolta e tyre duke bërë zhurmë në ballkone, nga ora 20:00 për 5 minuta kishte synim që sado pak të ndikojë në liderët politikë, pasi tashmë dihet dhe gjendja jo e mire për shkak të pandemisë, Covid-19.
“Sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandmie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Sipas tyre, revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës.
“Gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, thuhet me tej.
Koalicioni qeverisës LVV-LDK ka përjetuar përçarjen më të madhe.
Pas vendimit të kryeministrit Albin Kurtit, i cili shkarkoi nga detyra e ministrit të Brendshëm Agim Veliun, i cili është nga radhët e LDK-së, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.
E tërë kjo situatë po ndodh në kohën kur Kosova dhe bota po përballet me virusin e rrezikshëm Covid-19. /Telegrafi/