Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se mbështet Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, sepse ajo që ai përfaqëson është “e mirë për Evropën Qendrore”.
Orban tha se ishte në kuzhinë kur Trumpi e thirri mbrëmë dhe biseduan gjatë për pandeminë e coronavirusit në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së dhe çështjet bilaterale.
“Ajo që përfaqëson presidenti (Trump) është e mirë për Evropën Qendrore, prandaj ne po e përkrahim – të paktën unë personalisht – që ai të fitojë zgjedhjet”, tha Orban radios shtetërore hungareze, transmeton Telegrafi.
Në korrik të vitit 2016, Orban ishte udhëheqësi i parë evropian që mbështeti publikisht kandidaturën presidenciale të Trumpit. Në atë kohë, Orban, i cili u zgjodh për një mandat të tretë radhazi, nga një total prej katër, në vitin 2018, në sajë të një fushate të ashpër anti-emigrant, tha se preferonte republikanin për shkak të pikëpamjeve të tij anti-terroriste dhe kundërshtimit të “eksportit të demokracisë”.
Qeveria hungareze është përballur me kritika nga Bashkimi Evropian për gjoja minimin e vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë çështjet e lirisë së medias, të drejtat e pakicave, sistemin zgjedhor dhe liritë akademike dhe fetare.
Orban gjithashtu tha se është gjithnjë e më e zakonshme që udhëheqësit e shtetit sot të flasin jozyrtarisht në telefon dhe të ndërtojnë marrëdhënie personale, në vend që të mbështeten në kontakte zyrtare diplomatike. /Telegrafi/