Telegrafi

Si mund ta kthejnë Tottin te Roma ankesat e Mourinhos

Jose Mourinho dëshiron një drejtor të ri që mund ta ndihmojë atë në menaxhimin e përditshëm te Roma, gjë që mund të kthejë Francesco Tottin në klub.

Bisedimet për të ardhmen e trajnerit portugez kanë lënë në hije humbjen e Giallorossëve në finalen e Ligës së Evropës të mërkurën.

Gjatë konferencës së tij për shtyp pas ndeshjes në Budapest, Special One nuk kritikoi vetëm arbitrin Anthony Taylor, por edhe u ankua për përgjegjësitë e shumta që ai ka në kryeqytet.

Lexo po ashtu UEFA akuzon Mourinhon për fyerje të gjyqtarit pas finales së Ligës së Evropës

Sky Sport Italia theksoi menjëherë se portugezi dëshiron që klubi të punësojë një drejtor të ri për sezonin e ardhshëm.

Mourinho ka marrëdhënie të mira me Tiago Pinton, por bashkëkombësi i tij duket i paaftë për të përmbushur detyrat që kërkon trajneri, të cilat janë lidhja e ekipit dhe klubit, ndihma e tij me menaxhimin e përditshëm në Trigoria dhe marrëdhëniet me mediat.

Sipas Calciomercato.com, legjendat e klubit Zbignieë Boniek dhe Francesco Totti janë dy kandidatë të mundshëm për këtë rol. Angelo Mangiante i Sky Sport Italia e konfirmoi këtë të shtunën (sot), duke shtuar se Zvonimir Boban është gjithashtu ndër opsionet e Romës.

Lexo po ashtu Mourinho flet për të ardhmen e tij mes thashethemeve që e lidhin me PSG-në

Calciomercato gjithashtu pretendon se Pinto mund të largohet nga Roma në fund të sezonit dhe të zëvendësohet nga drejtori i Monza, Francois Modesto.

Përveç një drejtori të ri, Mourinho ka kërkuar më shumë investime për të ndërtuar një ekip konkurrues në Serinë A dhe Evropë për sezonin 2023-24. Kontrata e portugezit në kryeqytet skadon në qershor 2024. /Telegrafi/