Site icon Telegrafi

Si i mbijetoi zjarreve shkatërruese ‘shtëpia mrekulli me çati të kuqe’ në Hawaii?

Pronarët e një shtëpie me çati të kuqe në Hawaii besojnë se shtimi i një çatie të re dhe prerja e gjetheve e ndihmuan atë t’i mbijetonte zjarreve shkatërruese.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një shtëpi bregdetare prej 4 milionë dollarësh që ka mbetur e padëmtuar pasi qëndron e vetme mes rrënojave të pronave fqinje në Lahaina, në ishullin Maui.

Pronarët e saj, Dora Atwater Millikin dhe bashkëshorti i saj Dudley Long Millikin III, bënë disa intervenime në shtëpinë dhe kopshtin përpara se zjarret të shpërthenin, duke shkatërruar ndërtesa dhe duke vrarë dhjetëra njerëz.

Ndryshimet nuk u bënë për të rezistuar ndaj zjarrit, shpjegoi zonja Atwater Millikin për LA Times, por në fund ato dukej se i shërbyen këtij qëllimi.

Ajo tha se ajo dhe burri i saj zëvendësuan një “çati asfalti” me një “çati metalike të rëndë” dhe prenë gjethet që rrethonin shtëpinë për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së termiteve në të.

Çatitë konsiderohen si faktori kryesor që kontribuon në ndezshmërinë e një prone, sepse ato kanë sipërfaqen më të madhe mbi të cilën mund të zbres “prushi”.

Çifti kishte qenë për vizitë në familjen e tyre në Massachusetts kur zjarri filloi më 8 gusht.

Autoritetet i thirrën të nesërmen për të thënë se shtëpia e tyre mbijetoi dhe që atëherë ajo është quajtur “shtëpia mrekulli”.

Ndryshe, deri më tani, numri i të vdekurve në ishull është 115, por zyrtarët presin që numri përfundimtar i tyre të jetë rreth 500, raporton MailOnline. Rreth 1000 persona aktualisht janë të zhdukur.

Më shumë se 2200 ndërtesa në Lahaina u shkatërruan nga zjarri. /Telegrafi/

Exit mobile version