Shumica e qytetarëve të anketuar nga KosovaPress, nuk janë të kënaqur me shërbimin e Valës dhe IPKO-së, për shpejtësinë e internetit 4G.
Ata ndihen të zhgënjyer sepse shpejtësia e internetit nuk është funksionale për çka edhe i kanë blerë si produkte. ARKEP edhe pse doli me kumtesë zyrtare vitin e kaluar se operatoret nuk kanë 3 dhe 4 G, ata vazhdojnë të ofrojnë ketë produkt, me çka dëshmohet se qytetarët që përdorin telefoninë mobile janë të pa mbrojtur. ARKEP edhe pse po deklaron se ka dënime ndaj operatorëve dhe po merren parasysh ankesat, me shumë po shihet si avokat i operatorëve dhe jo avokat i tregut dhe konsumatorëve.
Ka më shumë se një vit që dy operatorët mobil “Vala” dhe “Ipko” kanë filluar me reklama për ofrim të shërbimeve të internetit të shpejtë mobil 3 dhe 4 G, mirëpo, edhe sot ky shërbim nuk mbulohet në gjithë territorin e Kosovës dhe kualiteti i këtij shërbimi është shumë larg standardeve të kërkuara. Zyrtarët e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike (ARKEP), e kishin arsyetuar më herët se mbulueshmëria 100 për qind e 3 dhe 4 G, nuk mund të bëhet në gjithë territorin Kosovës, pasi operatorëve iu duhet kohë për investime në rrjetë. Pavarësisht kësaj, dy operatorët vazhdojnë t’i ofrojnë këto shërbime dhe shesin kartelat për 4 G, edhe pse në shumë zona të kryeqytetit dhe jashtë saj nuk iu funksionojnë.
Granit Ruzhaja tha se oferta e shërbimit të internetit 4G është shumë e shtrenjtë për një periudhën të gjatë kohore, mirëpo, edhe shpejtësia e internetit 4G është e njëjtë sikur ajo e 3G. “Nuk mundet me qenë gjithçka perfektë, e ka një të keqe se nuk mundet të bëhet menjëherë 4G, por duhet ta ndërrosh kartelën edhe nuk është aq i shpejtë sa mundet me kon”, tha Ruzhaja.
Edhe Gent Matoshi, tha se ndihet i zhgënjyer, pasi që shpejtësia e internetit nuk është ashtu siç operatorët po deklarojnë. “Çmimet e shërbimeve janë shumë të shtrenjta”, tha Matoshi.
Alban Kastrati, zëdhënës i kompanisë “Ipko”, tha se rreth 57 për qind e tregut mbulohet me shërbimet e 3 dhe 4 G, por që sipas tij janë duke investuar në zgjerim të rrjetit.
“Ipko ka bërë investime të konsiderueshme në infrastrukturën e internetit mobil. Vetëm vitin e kaluar investimet tona kapitale kanë arrit vlerën prej 20.5 milionë euro. Ndërsa, këtë vit ne parashikojmë që të investojmë edhe 18 milionë euro tjera shtesë për të zgjeruar rrjetin, për të shtuar zona të reja për 3 dhe 4G. Deri më tani ne kemi rreth 57 për qind të territorit të mbuluar me rrjetin 3 dhe 4 G, ose rreth 82 për qind të popullsisë. Natyrisht nuk e kemi e zgjeruar rrjetin në gjithë territorin e Kosovës, ky është proces i cili po vazhdon, ne do ta zgjerojmë mbulueshmërin me sinjal të teknologjive të reja 3 dhe 4 G. “, tha Kastrati.
Sa i përket pakove dhe çmimeve të cilat i ofron ky operator. Ai thotë se nuk kanë problem me përdorimin e pakove të romingut për jashtë vendit.
Selatin Kaçaniku nga organizata Konsumatori, habitet se si operatorët përkundër mashtrimeve që po u bëjnë qytetarëve me reklama se ofrojnë shërbimet internetit të shpejtë 3 dhe 4 G, nuk janë dënuar nga autoritetet gjegjëse.
“Kemi reaguar vitin e kaluar për mashtrimet në reklama me 3 dhe 4G, atëherë e patëm edhe përkrahjen e ARKEP-it, e cila doli me kumtesë zyrtare se operatoret e proklamuar se kanë 3 dhe 4 G, në të vërtet nuk kanë. Është e çuditshme që pas këtyre deklaratave asnjë prej operatorëve nuk e pësoj as në formë administrative dhe as në formën juridike dhe ligjore. Kjo dëshmon se ky treg goxha milionësh në operim zhvillohet jashtë suazave ligjore, nuk ka mbikëqyrje shoqërore dhe kjo e dëshmon edhe anën tjetër më të keqe se qytetari, konsumatori i telefonisë mobile është i pa mbrojtur”, tha Kaçaniku.
Sipas tij, nëse ARKEP nuk e ka kryer punën si duhet, do të thotë është avokat i operatorëve dhe jo avokat i tregut dhe konsumatorëve.
Por ndryshe thotë kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike (ARKEP), Kreshnik Gashi. Ai thekson se të gjitha ankesat e qytetarëve janë shqyrtuar dhe në raste të caktuara janë dënuar operatorët.
“Ka pasur edhe raste kur janë dënuar operatorët për veprimet e tyre ku nuk janë njoftuar qytetarët me kohë për tarifa të ndryshme apo janë mbi-tarifuar në kundërshtim me termet e kontratave të tyre me operatorët, ka edhe ankesa ku qytetarët nuk janë të kënaqur me shërbimet që i kanë marrë jashtë vendit, kryesisht ne i kemi trajtuar disa prej tyre. Jemi në fazën e fillimit të testimit të kualitetit të shërbimeve të 3 dhe 4 G….Rezultatet fillestare priten të bëhen në vitin 2017 “, tha Gashi.
Ai deklaroj se operatorët kanë për obligim që shërbime që i ofrojnë me kontrata për qytetarët t’i impelmentojnë. /Telegrafi/