Zëvendëskancelari Robert Habek drejton tani seancat e qeverisë gjermane – kancelari Olaf Scholz është me pushime. Si është rregulluar çështja e pushimeve të politikanëve?
Angela Merkelit i pëlqente të shëtiste në kodrat dhe malet e Tirolit të Jugut ose të shkonte në ishullin Ishia në Napoli. Ajo e bënte këtë rregullisht gjatë pushimeve të verës, gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve sa ishte në krye të qeverisë gjermane.
Një herë, kur u pyet nga gazetarët se ku ishte kancelarja me pushime, zëdhënësi i saj tha: “Kancelarja kurrë nuk është në pushime!” Që do të thoshte se ajo gjithmonë vëzhgon çështjet dhe zhvillimet politike.
Publiku gjerman mund të mësojë lehtë se ku politikanët gjermanë i kalojnë zakonisht pushimet – thjesht lexojnë gazetën Bild – por çështja e pushimeve të politikanëve ka edhe rregullat e veta.
Ata nuk kanë të drejtë të pushojnë
Anëtarët e qeverisë, kancelari dhe ministrat nuk kanë ndonjë kontratë pune tipike dhe për rrjedhojë nuk kanë të drejtë me shkrim për pushim vjetor. Por, edhe ata janë njerëz prej mishi e gjaku e duhet të pushojnë dhe “rimbushin bateritë”, të ikin larg grindjeve politike të Berlinit dhe të rimarrin energji për qeverisje dhe vendime jo të lehta.
Ligji special për ministrat federalë nuk e përmend pushimin vjetor. “Ministrat nuk kanë të drejtë të pushojnë. Ata nuk janë punonjës të zakonshëm”, thotë Ulrich Batis, dikur profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Humboldt.
Nëse dhe kur do të shkojnë ministrat me pushime – këtë e vendos shefi i tyre, që është kancelari, shpjegon Batis në një intervistë për gazetën Süddeutsche Zeitung. Për më tepër, çdo ministër që largohet nga selia e qeverisë për më shumë se një ditë duhet të informojë kancelarin për mungesën e tij nga vendi i punës. E nëse ai apo ajo mungon më shumë se tre ditë ose udhëton jashtë vendit, kancelari duhet ta miratojë këtë udhëtim shprehimisht, pra duhet ta japë pëlqimin e tij.
Scholz ka shkuar në një vend “miqësor”
Sigurisht që edhe kancelari duhet të “pushojë pak shpirtin” nga punët e shumta dhe stresi i përditshëm. Pikërisht kjo po ndodh këto ditë me kancelarin Olaf Scholz, edhe pse nuk dihet nëse ai ka paketuar çizmet e tij për hiking dhe ka shkuar në male apo ka marrë rroba banjo për lt’u larë diku në det.
Zëdhënësi i tij ka bërë të ditur këto ditë se kancelari Scholz do të “kalojë disa ditë në një vend mik evropian” – që në epokën e rikthimit të rëndësisë së gjeopolitikës është një formulim mjaft i përshtatshëm.
Scholz vetë tha se mezi po pret të bëjë një pushim të shkurtër. Por saktësisht nuk dihet se ku ka shkuar kancelari me pushime. Dhe nuk këshillohet të jepen informacione të tilla, për shkak të paparacëve dhe sigurisë së tij. E megjithatë, mendohet se mediat gjermane, herët apo vonë, do ta zbulojnë këtë informacion, në radhë të parë gazeta Bild. Vitin e kaluar, kancelari Scholz i kaloi pushimet e tij verore në Gjermani – duke shëtitur nëpër Allgäu në Bavari. Atje është lokalizuar nga një fotograf i gazetës Bild. /dw/