Nuk e vërejmë dështimin e Ungjillit për të përshkruar Jezusin, sepse e “dimë” se si dukej në saje të të gjitha imazheve që kemi. Por, sa i saktë është ai përshkrim? Kështu e nis shkrimin e tij Joan Taylor, profesor në King’s College të Londrës, transmeton Telegrafi.
Secili di si ta njohë Jezusin. Ai është portretizuar në art, film dhe letërsi në të njëjtën mënyrë. Imazhi i tij gjendet vazhdimisht në kisha dhe ndërtesa të panumërta të krishtera. Ai zakonisht duket disi si evropian: një burrë me flokë ngjyrë kafe (ndonjëherë flokëverdhë) dhe sy të çelur ose të kaltër. Ai ka fytyrë, hundë dhe mjekër të gjatë. Rrobat e tij janë gjithashtu të gjata: një tunikë deri në tokë, me mëngë të gjera dhe mantel të madh. Është mjaft i rregullt (flokë të krehura, dhëmbë të mirë e të pastër) dhe rrobat e tij duken të lara rishtas.
Por, si dukej vërtet Jezusi, si një hebre në Judën e shekullit të parë? Çfarë ngjyre ishte lëkura e tij? Sa i gjatë ishte ai? Çfarë vishte ai?
Këto janë pyetje me të cilat ballafaqohesha ndërsa shkruaja librin tim: “Si dukej Jezusi?” (i botuar nga Bloomsbury T & T Clark). Është një subjekt që më ka interesuar për një kohë të gjatë. Doja të shihja Jezusin qartë.
Në ungjij ai nuk është përshkruar, as i gjatë apo i shkurtër, as i bukur ose mesatar, as muskuloz e as i dobët. Na thuhet mosha e tij, “rreth 30 vjeç” (Luka 3:23), por nuk ka asgjë që e dallon në mënyrë dramatike, të paktën në shikim të parë.
Nuk e vërejmë këtë mungesë të ndonjë përshkrimi të Jezusit, sepse “e dimë” si duket në sajë të të gjitha imazheve që kemi. Por, Jezusi që e njohim kaq lehtë është rezultat i historisë kulturore. Paraqitjet e hershme të Jezusit që vendosën shabllonin për mënyrën se si ai vazhdon të përshkruhet sot, bazoheshin në imazhin e një perandori në fron të ndikuar nga prezantimet e perëndive pagane. Flokët dhe mjekra e gjatë importohen në mënyrë specifike nga ikonografia e botës greko-romake. Disa prej përshkrimeve më të vjetra të mbijetuara të Jezusit, e përshkruajnë në thelb si një version më të ri të Jupiterit, Neptunit ose Serapisit. Me kalimin e kohës, aureola nga perëndia diell, Apolloni, iu shtua në kokë Jezusit për të treguar natyrën e tij qiellore. Në artin e hershëm të krishterë, ai shpesh kishte flokët kaçurrela të Dionisit.
Qëllimi i këtyre imazheve nuk ishte ta tregonte Jezusin si njeri, por të shtronte pikëpamje teologjike rreth asaj se kush ishte Jezusi si Krisht (Mbret, Gjyqtar) dhe si Biri hyjnor. Ato kanë evoluar me kalimin e kohës në “Jezusin” standard që njohim.
Pra, a mund ta imagjinojmë Jezusin sipas kushteve dhe dëshmive të shekullit të parë?
Merresha me faktin se hebrenjtë ishin të njohur në antikitet si një “komb filozofësh” (Josephus, Apion 1:179). A ishte kjo pjesërisht për shkak të paraqitjes së tyre? Një “filozof” mashkull në antikitet mendohej se kishte flokë të çrregullta dhe mjekër të ashpër. Ideja është që këta njerëz nuk u shqetësuan për të vizituar shpesh berberët, pasi u përqendruan në gjëra më të rëndësishme. Por, flokët e tyre nuk do të ishin shumë të gjata. Stili i pranueshëm në botën romake duhej të ishte i rruar e me flokë të shkurta. Siç thotë Pali në letrën e tij drejtuar kishës së Korintit: “Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?” (1 Korintasve 11:14). Përjashtimi i vetëm për këtë për hebrenjtë ishte nëse marrin betimin Nazaritit (Numrat 6: 1-21; Veprat 21:24). Për këtë zotim, ju i lini flokët të rriten dhe nuk pini verë, ndër të tjera. Gjon Pagëzori ishte një Nazarit i përjetshëm, i dedikuar nga prindërit e tij për Perëndinë, siç tregon Ungjilli i Lukës (Luka 1:15), por Jezusi nuk ishte, sepse shpesh u has duke pirë verë (Mateu 11:19).
Ka portretizime të burrave hebrenj, me pamjen e “filozofit” në monedhat romake të lëshuara nga perandorët Vespasian dhe Titus. Këto i tregojnë luftëtarët e zënë hebrenj (pjesërisht të zhveshur), pasi u revoltuan kundër Romës në vitet 66-70. Do të ishte e arsyeshme të mendojmë se të paktën disa judenj në Jude dukeshin kështu, edhe nëse ka stereotipe në këtë.
Sa për trupin e Jezusit, kam këshilluar ekspertët e skeletëve të lashtë në Izrael. Ajo që kam mësuar është se judenjtë e asaj kohe ishin më të afërt biologjikisht me hebrenjtë irakianë të botës bashkëkohore. Në kushtet e gamës së ngjyrave të asaj kohe, mund të mendoni për flokë ngjyrë kafe të errët, sy të thellë kafe, lëkurë ngjyrë ulliri. Jezusi do të kishte qenë një njeri me pamje të Lindjes së Mesme. Sa i përket shtatit, një njeri mesatar i kësaj kohe ishte 166 centimetra i gjatë.
Pamja jonë e përgjithshme, megjithatë, nuk është vetëm për trupat tanë. Shumë varet nga ajo çka bëjmë me trupat tanë. Ka disa detaje të rastësishme te Ungjijtë që na tregojnë se çfarë kishte veshur Jezusi.
Ai mbante një tunikë, të quajtur kiton në greqisht. Shpesh duhet të ishin dy: një e jashtme dhe një e brendshme më e hollë, ndonjëherë e quajtur sindon (Marku 14:63). Një tunikë e jashtme në Jude ishte bërë pa dyshim nga dy pjesë të materialit, një para dhe një mbrapa, të bashkuara në supet dhe anë, me vija që shkonin nga shpatullat në hem. Tunika e brendshme mund të jetë me një copë. Ky është një detaj me interes për mua, sepse në Ungjillin e Gjonit (19: 23-24) Jezusi është thënë të ketë veshur një tunikë me një copë. Gjon Pagëzori u kërkoi njerëzve t’ia jepnin tunikën e tyre të dyta (Luka 3:11). A nuk do ta bënte këtë Jezusi? Duke veshur vetëm një tunikë të brendshme, ai do të ishte i veshur me rrobat bazike.
Tunikat e meshkujve zakonisht ishin deri në gjunjë. Tunika e gjatë (stolai) ishte e veshur nga gratë ose herë pas here nga burra e pasur në pozita të larta e të respektuara. Por, Jezusi thoshte: “Ruhuni nga skribët të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba (tunika) të gjata (stolia) dhe t`i përshëndetin në sheshe, dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti” (Marku 12:38-39). ). Është e qartë se ai nuk është një prej tyre.
Mbi një tunikë, një burrë do të vishte një mantel (Mark 10:50). Kjo ishte një pjesë e madhe e materialit të leshit. Fuqia dhe prestigji shfaqeshin nga cilësia dhe ngjyra: e purpurt dhe lloje të caktuara të së kaltrës dhe të kuqes. Dishepujt e Jezuit i shohin rrobat e tij (mantelin dhe tunikën) të shndërrohen në një ngjyrë të bardhë të shndritshme në Shpërfytyrimin (Marku 9:3, Mateu 17:2), që do të thotë se këto nuk ishin të bardha me ngjyra ose të bardha si rregull. Në kuptimin e “para” dhe “pas” të një reklame pluhuri larës, veshja e Jezusit ishte “para”.
Kështu, në fund, ne e shohim atë si një njeri me pamje të Lindjes së Mesme, me flokë të shkurta të lerosura dhe mjekër, i veshur me rroba shumë të thjeshta: tunikë deri në gjunjë me një pjesë dhe një mantel me ngjyrë natyrale. Me një lexim të afërt të Ungjijve, rezulton se pamja e Jezuit përputhet në mënyrë të përsosur me mësimet e tij. Duke mësuar dishepujt e tij që të japin të gjitha gjëra e domosdoshme për nevojtarët, (Mat 19: 20-22), ai praktikoi atë që predikonte.
Pyes veten nëse do ta njihnim, siç dukej vërtetë, po ta takonim në rrugë! /Telegrafi/