Është e vërtetë se me atë rast, së bashku me fëmijën, festojnë e gëzohen mjaft edhe prindërit dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, natyrisht argëtohen e kënaqen secili në mënyrën e vet. Mirëpo në disa familje qëllon që kjo festë familjar merr kahje tjetër, duke i dhënë ton gëzimi e hareje më tepër të rriturve sesa fëmijëve.
Kështu ndodh shpesh që bëhen përgatitje të mëdha e shumë shpenzime, duke thirrur me atë rast për vizitë jo vetëm nga rrethi i gjerë familjar, por edhe shumë miq, shokë e dashamirë, duke e shndërruar në këtë mënyrë këtë festë familjare të rrethit të ngushtë në një gosti, ku shtrohen e mbushen tavolinat me lloj-lloj pijesh e hajesh të ndryshme të pasura e të bollshme.
Pastaj fillon kënga e muzika hareshëm deri në orët e vona të natës, duke u bërë kështu shkak që t’u prishet qetësia ndoshta edhe familjeve të tjera të afërme në atë banesë ose fqinjëve.
Duke vepruar në këtë mënyrë, disa prindër shpesh harrojnë e lënë pas dore fëmijën i cili ka ditëlindjen e vet dhe që në ato çaste gëzimi hutohet nga bisedimet e këngët e të rriturve dhe struket bashkë me të tjerë në një kënd të dhomës ose në kuzhinë, dhe ndoshta shpesh qëllon që atyre t’u tërhiqet edhe vërejtja e të qortohen pse mund t’ua prishin qetësinë e disponimin të rriturve me zhurmën e lojërat e tyre fëmijërore.
Është gjë e ditur se kjo festë, në rend të parë, është festë e fëmijës, i cili e feston ditëlindjen bashkë me moshatarët e vet, prandaj është krejt e arsyeshme dhe me vend që ai në rrethin e vet të ngushtë të gëzohet e të kënaqet më tepër atë ditë, sepse fundi i fundit gëzimi i tyre është njëherazi edhe gëzimi i prindërve.
Për ta bërë këtë ditë feste edhe më të hareshme për fëmijën, në mënyrë që ai ta përjetojë edhe më mirë, është e këshillueshme që fëmija me këtë rast, nja 2-3 ditë përpara, të aktivizohet duke i ndihmuar nënës për pastrimin e shtëpisë e rregullimin e oborrit si dhe për blerjen e pemëve, lëngjeve dhe të sendeve të tjera që nevojiten për atë ditë gëzimi.
Shtëpia ose kopshti i fëmijëve janë vendi më i lehtë për të festuar por nëse keni numër më të madh të të ftuarve apo nëse nuk keni vend të mjaftueshëm për mysafirët në shtëpi, ndoshta do të mund të kremtonit në ndonjë vend tjetër si psh. në ndonjë vend të lodrave, kopsht fëmijësh apo restorant.
Ndërkaq, vetë ditëlindja e fëmijës është rast shumë i volitshëm që fëmija edhe të gëzohet e të argëtohet, por njëherazi edhe të mësojë diçka. Për shembull: si duhet t’i thërrasë e t’i presë mysafirët e vet moshatarë, si t’i përshëndesë ata kur u shërben e u ofron pemë, lëngje pemësh, bonbone etj. dhe si të bisedojë me ta. Pastaj edhe si t’i presë, t’i përshëndesë e t’u shërbejë edha mysafirëve të rritur të familjes që mund të vijnë atë ditë ose të nesërmen për urim.
Nga ana tjetër, edhe se si duhet të falënderojë shokët, shoqet e të tjerët për urimet që i bëjnë dhe për dhuratat simbolike që mund t’i sjellin; sepse, tekefundit. festa e datëlindjes është rast shumë i mirë që fëmijët të njihen, të afrohen e të shoqërohen edhe më mirë me njëri-tjetrin.
Nëse fëmiu juaj hap dhuratat para fëmijëve të tjerë, përgatituni për ndezjen e fitilit të zemërimit gjatë shpërndarjes. Nëse vendosni të prisni që dhuratat t’i hapni pasi që të ftuarit të shkojnë, mos harroni ti falënderoni më pas.
Është ide e mirë për të planifikuar disa aktivitete por mos u brengosni nëse fëmijët përfundojnë duke lozur secili me lojën e vet të preferuar. Lojërat dhe aktivitetet e thjeshta që bëjnë fëmijët, apo vallëzimi nën tingujt e muzikës, bën që atmosfera të jetë shumë e këndshme.
Ndoshta para përfundimit të festës, do të donit t’ju lexoni diçka fëmijëve për t’i qetësuar ata sado pak para se të shkojnë në shtëpi.
Nuk keni nevojë që të shpenzoni shumë – mundeni edhe me shpenzime më të vogla, siç janë ngjyrat, kafshët e plastikës apo figurinat, makinat e vogla, byzylykët plastikë, ballonet apo letrat ngjitëse me vizatime, të krijoni atmosferë festive, emocione dhe dëfrim.
Çfarëdo qoftë që të planifikoni të bëni, qoftë një kremtim intim me familjarë dhe miq të afërm apo një festim të gjithanshëm diku jashtë, ditëlindja e fëmijës suaj është diçka e posaçme, së paku për ju dhe për të rritur tjerë dhe për fëmijët më të rritur në jetën e fëmijës suaj.
Por pa marrë parasysh se sa mysafirë do të keni, apo ku e festoni, mbani në mend se fëmija juaj do të kërkojë vëmendjen tuaj të paanshme. Kjo është posaçërisht e vërtetë nëse ajo është tepër e emocionuar nga turma e mysafirëve e cila i dëshiron sukses. /Telegrafi/