Telegrafi

S’i bindet urdhrit për ndalje, një i dyshuar në Leposaviq tenton t’i godasë me veturë policët

Një person ka tentuar t’i godasë me veturë disa zyrtarë policorë të Njësisë për reagim të shpejtë në Leposaviq.

Rasti ka ndodhur pasi një patrullë policore ka tentuar ta ndalojë veturën e drejtuar nga një person i cili dyshohej për kontrabandim me migrantë.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë se pasi drejtuesi i veturës nuk i është bindur urdhrit të Policisë, ai ka tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë.

Ai ka bërë të ditur se në këtë incident, zyrtarët policorë nuk janë lënduar.

“Rasti ka ndodhur sot, janë dyshuar për kontrabandë me migrantë, zyrtarët policorë nuk janë lënduar”, ka thënë Elshani.

Elshani ka vijuar të shtojë se personi që ka tentuar sulmin me veturë është në kërkim nga Policia e Kosovës, por ende nuk është arrestuar.

Gjithashtu, sipas tij, 10 emigrantë që ishin në veturë janë dërguar në stacionin e Policisë për hetime të mëtejshme.

“Personat të cilët kanë tentuar të godasin me veturë zyrtarët policorë janë në kërkim nga Policia e Kosovës, nuk janë arrestuar, ndërsa 10 emigrantë janë dërguar në stacionin e Policisë për hetime të mëtutjeshme”, ka thënë Elshani.