Telegrafi

Shumica e gjermanëve do të “vaksinohen, kurohen ose vdesin” nga Covid-19 brenda disa muajsh, paralajmëron ministri gjerman i Shëndetësisë

Shumica e gjermanëve do të “vaksinohen, kurohen ose do të vdesin” nga Covid-19 brenda disa muajsh.

Kështu siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka paralajmëruar ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn të hënën teksa u kërkoi më shumë qytetarëve që të merrnin vaksinën.

“Ndoshta deri në fund të këtij dimri, siç thuhet ndonjëherë në mënyrë cinike, pothuajse të gjithë në Gjermani do të vaksinohen, kurohen ose vdesin”, ka thënë Spahn, duke fajësuar “variantin shumë ngjitës Delta”.

“Kjo është arsyeja pse ne rekomandojmë kaq urgjentisht vaksinimin”, shtoi ai.

Ndërkohë kancelarja gjermane në largim Angela Merkel tha të hënën se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të trajtuar një valë në rritje të infeksioneve me coronavirus, pasi profesionistët mjekësorë paralajmëruan se spitalet në disa rajone tashmë po luftonin me mbingarkesë.

“Ne kemi një situatë shumë dramatike. Masat e vendosura aktualisht nuk janë të mjaftueshme”, tha Merkel, sipas burimeve nga një takim i udhëheqjes së partisë në Berlin, shkruan dpa, përcjell Telegrafi.

“Ne kemi një situatë që tejkalon çdo gjë që kemi parë më parë”, citohet të ketë thënë tutje ajo.

Sipas saj, kufizimet aktuale për personat e pavaksinuar nuk do të jenë të mjaftueshme për të frenuar përhapjen e virusit.

Merkel vuri në dukje numrin e rasteve të reja, i cili po dyfishohet çdo 12 ditë në vend.

Por pavarësisht urgjencës së situatës, vlerëson dpa, qeveria e Merkelit është frenuar nga ndërmarrja e çdo veprimi drastik për faktin se ajo po vepron në një rol kujdestar që nga zgjedhjet në shtator.

Konservatorët e saj humbën zgjedhjet dhe partnerët e tyre socialdemokratë po negociojnë aktualisht për të nisur një koalicion të ri me të Gjelbrit dhe FDP.

Të hënën, zëdhënësi i Merkelit tha se koalicioni në largim nuk do të marrë një vendim nëse do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin në Gjermani – një temë jashtëzakonisht e diskutueshme dhe diçka që Merkel dhe politikanë të tjerë e kishin përjashtuar vazhdimisht.

Ndërkohë, një profesionist kryesor i kujdesit intensiv paralajmëroi të hënën se situata në spitalet gjermane po përkeqësohej.

“Situata rreth rasteve me coronavirus është shumë shqetësuese dhe aktualisht nuk është nën kontroll”, tha Gernot Marx, president i organit të industrisë DIVI.

Ndryshe, mbi 3,670 pacientë Covid-19 aktualisht po marrin kujdes intensiv në Gjermani, pothuajse 1,200 prej të cilëve u pranuan javën e fundit.

Liderët politikë gjermanë kanë kërkuar nga popullata që të vaksinohet ndërkohë që deri të hënën, 68 për qind e gjermanëve ishin plotësisht të vaksinuar. /Telegrafi/