Telegrafi

I shumëkërkuari Eljon Hato i shpëton operacionit të RENEA e FNSH, i vritet qeni

Dhjetëra forca të RENEA-s dhe FNSH-së u angazhuan për të kapur Eljon Haton, një emër i njohur i botës së krimit, i shpallur në kërkim për tentativë vrasje, si pjesë e dosjes “Metamorfoza” që po hetohet nga SPAK.

Por ndërhyrja e befasishme e mbi 50 forcave speciale në banesën dy katëshe të vëllait të tij në fshatin Grudë të Shkodrës, duke kapërcyer muret rrethuese dhe telat me gjemba, përfundoi pa sukses.

I shumëkërkuari nuk u gjend. Dyshimet janë se ai ka mundur të largohet përpara ndërhyrjes. Megjithatë, policia u detyrua të përdorte armët gjatë aksionit. Specialet e policisë qëlluan ndaj dy qenve të shtëpisë, duke vrarë njërin prej tyre. Tjetrin e plagosën. Pamjet e këtij veprimi u shpërndanë nga familjarët e të shumëkërkuarit.

Eljon Hato është një emër i njohur për drejtësinë. Ai konsiderohet si një prej miqve më të ngushtë të Ervis Martinajt. Emri i tij është lakuar në shumë ngjarje të rënda kriminale të regjistruara në vitet e fundit.

SPAK e akuzon atë për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve./Tv Klan