Klubet angleze kanë shpenzuar një shumë marramendëse prej 1.34 miliard eurosh në transferime gjatë afatit kalimtar veror – më shumë se klubet nga Spanja, Gjermania dhe Franca së bashku.
Skuadrat nga Liga Premier janë përforcuar duke shpenzuar në futbollistë të shtrenjtë, si Jack Grealish (për 116.5 milionë euro te Manchester City) apo Jadon Sancho (85 milionë euro te Manchester Unitedi).
Arsenali ka shpenzuar më shumë se secili klub tjetër anglez, një total prej 169 milionë euro. Chelsea solli pak lojtarë, por shpenzoi 114 milionë euro për Romelu Lukakun. Transferi i vetëm i Liverpoolit ishte Ibrahima Konate për 42 milionë euro.
Dhjetë ligat me më së shumti shpenzime:
Anglia: 1.34 miliard euro
Italia: 551.5 milionë euro
Franca: 499 milionë euro
Gjermania: 393 milionë euro
Spanja: 379 milionë euro
Belgjika 140.5 milionë euro
Rusia: 99 milionë euro
Portugalia: 88 milionë euro
Turqia: 85 milionë euro
Holanda: 62.5 milionë euro
Klubet italiane ishin të dytët që shpenzuan më së shumti në transferime, me një total prej 551.5 milionë eurosh. Më i shtrenjti ishte Tammy Abraham që i kushtoi Romës 39.5 milionë euro.
Të tretët në listë ishin klubet franceze me total shpenzimesh prej 499 milionë euro, derisa klubet gjermane paguan 393 milionë euro, para atyre spanjolle që shpenzuan 379 milionë euro. /Telegrafi/