Site icon Telegrafi

Më shumë se dhjetë plumba në drejtim të veturës së asistentit të presidentit të Ukrainës, plagoset shoferi i tij

Pranë fshatit Lisnyki (rajoni i Kievit), një makinë e asistentit të parë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Serhiy Shefir, është qëlluar me armë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shoferi i makinës u plagos, raporton shërbimi për shtyp i Policisë Kombëtare të Ukrainës.

“Sot, rreth orës 10:00, pranë fshatit Lisnyki, makina e ndihmësit të parë të presidentit, Serhiy Shefir, u qëllua me armë”, ka thënë policia në faqen e saj të internetit.

Po sipas mediave, vihet re se më shumë se 10 plumba goditën makinën.

Shoferi është i plagosur dhe tani grupet hetimore të policisë po punojnë në vend.

“Një operacion special policor po kryhet për të kërkuar kriminelët. Kushdo që ka ndonjë informacion në lidhje me rrethanat e përpjekjes për vrasjen e dy qytetarëve të Ukrainës, ju lutemi informoni policinë duke telefonuar në numrin 102”, thuhet në mesazh.

Ndërkohë nënkryetarja e komitetit parlamentar për sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe inteligjencën, Maryana Bezuhla, konfirmoi se ishte bërë një përpjekje për të vrarë ndihmësin e parë të Presidentit të Ukrainës, Serhiy Shefir.

“Unë nuk di shumë për incidentin. Ata qëlluan dhe goditën shoferin me tre plumba”, ka thënë Bezuhla.

Ndërsa këshilltari i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko, tha në Facebook se të shtënat u qëlluan nga pylli nga armët automatike drejt makinës. /Telegrafi/

Exit mobile version