Telegrafi

Me shumë mungesa të futbollistëve kyç, por Kosova synon fitoren e parë në Ligën e Kombeve ndaj Greqisë

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur me barazim edicionin e ri në Ligën e Kombeve.

Dardanët barazuan në udhëtim te Moldavia (1-1), në një ndeshje ku u vërejt shumë mungesa e grumbullimeve në kohën e fundit.

Disa nga lojtarët edhe kanë qenë në pushim në kampionatet që janë, por edhe mungesa e Vedat Muriqit e bëri të vetën.

Gjithsesi tani na pret ndeshja ndaj Greqisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku fitorja është e domosdoshme.

Për takimin me grekët ka edhe më shumë mungesa trajneri Bernard Challandes, pasi disa nga yjet e Përfaqësueses nuk janë lejuar të vijnë në Kosovë, për shkak të rregullave që kanë shtetet ku luajnë për Covid-19.

Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli, Milot Rashica, Herolind Shala, Elbasan Rashani, Leart Paqarada, Idriz Voca dhe Florent Muslija nuk janë në dispozicion të trajnerit Challandes.

Përveç lojtarëve të lartpërmendur mungojnë edhe Vedat Muriqi dhe Edon Zhegrova.

Gjithsesi ndeshja do të luhet me fillim nga ora 20:45 dhe trajneri zviceran i Kosovës ka bërë me dije se do të luftojnë për fitore me ata futbollistë që ka në dispozicion.

Mungesa kanë edhe grekët pasi mungojnë yjet e skuadrës si Kostas Manolas, Sokratis, Konstantinos Tsimikas e Konstantinos Mitroglou. /Telegrafi/