Site icon Telegrafi

Shtyn mikrofonat e gazetarëve, Majko kërkon ndjesë publike, reagojnë deputetët e PD-së dhe Shoqata e Gazetarëve Evropianë

Ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko kërkoi ndjesë publike për përplasjen që pati mëngjesin e sotëm para parlamentit me disa gazetare.

Në fjalën e tij në kuvend, Majko iu referua reagimit të dy deputeteve të PD ndaj incidentit për të thënë se kërkonte ndjesë ndaj gazetareve, në veçanti ndaj gazetares Eksiola Shehu që është shtatzënë.

“Dua të bëj një koment që lidhet edhe me vlerësimin që bën dy koleget e mia të opozitës. Dëshiroj të shpjegoj para kolegëve se dua të kërkoj ndjesë ndaj gazetarëve për shtyrjen e mikrofonave sot në mëngjes. Në veçanti ndjesën më të veçantë dëshiroj t’ia ofroj gazetares që ka qenë shtatzënë”, tha Majko.

Deputetja Jorida Tabaku e denoncoi publikisht deputetin Majko gjatë fjalës së saj në Kuvend për sjelljen e pahijshme dhe të dhunshme të sulmit ndaj gazetareve.

Ajo kërkoi nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe deputetët që të merren masa disiplinore dhe të reagohet.

Nga ana tjetër deputetja Ina Zhupa përmes një postimi në faqen e vet në Facebook e dënoi veprimin e deputetit socialist ndërsa kërkoi nga kuvendi të rikthejë rezolutën që kemi kërkuar koleget demokrate për mbrojtjen e gazetarëve.

Gjithashtu ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve Europianë (AEJ) dega Shqipëri. Shoqata dënon sjelljen e ish-kryeministrit dhe deputetit Pandeli Majko ndaj gazetarëve ditën e sotme në ambientet e Parlamentit.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale thuhet se “shtyrja me forcë e gazetarëve Eksiola Shehu, Raziela Myslimaj, Fjoralba Beleshi, të cilat në mënyrë etike dhe profesionale i kërkuan një reagim publik, është një akt i dënueshëm dhe intimidues ndaj mediave”.

“Shoqata e Gazetarëve Europianë dega Shqipëri kërkon reagim institucional nga Kryetarja e Kuvendit për të mbrojtur të drejtën e gazetarëve nga sjelljet e deputetëve që cenojnë punën dhe misionin e medias”, thuhet më tej në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version