Telegrafi

Shtyhet sërish vendimi për masën e sigurisë ndaj Sali Berishës

Vendimi e Gjykatës së Posaçme GJKKO për masën e re të sigurisë ndaj Sali Berishës pritet të vendoset ditën e enjte në orën 15:00 pasi është shtyrë për të dytën herë. Prokurorët kërkojnë arrest shtëpie me mbikëqyrje policore për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Mësohet se në kërkesat e tyre në seancën e kësaj të mërkure në gjykatë, avokatët mbrojtës të Berishës kanë ripërsëritur kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Pak ditë më parë, Kuvendi autorizoi Prokurorinë e Posaçme për arrestimin e deputetit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e Klubit Sportiv Partizani.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Posaçme mbi autorizimin për arrestimin e deputetit Sali Berisha përmes zëvendësimit të masës së sigurimit. Ky vendim erdhi pasi ai nuk respektoi masën e mëparshme për detyrim paraqitje, duke e quajtur atë si antikushtetuese. /Telegrafi/