Telegrafi

Shtyhet seanca gjyqësore për Sali Berishën, avokatët kërkojnë më shumë kohë

Është shtyrë seanca e mbajtur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme GJKKO për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas informacioneve, avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë kërkuar më shumë kohë për tu njohur me parashtrimet.

Gjithashtu ata kanë kërkuar dhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Sipas njoftimit per media, seanca e rradhës pritet të mbahet të nesërmen (27.12.2023) në orën 11:00.

Në kërkesën e prezantuar sot në gjykatë, SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Berishën me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Sali Berisha nuk ishte sot i pranishëm në gjykatë, madje gjatë kohës që u bë publike vendimi për shtyrjen e caktimit të masës së “arrestit në shtëpi” për të, ish-kryeministri po mbante fjalim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në selinë blu. Ai këmbëngulë se gjyqi ndaj tij është politik, pasi thekson se nuk ka asnjë provë që ka shkelur Kushtetutën në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv”. Në dosje thuhet se ish kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të privatizojë kompleksin duke shkelur ligjin. Malltezi aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.

Fillimisht, pas kërkesë së SPAK, GJKKO caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe i ndaloi daljen nga jashtë shtetit, mirëpo për shkak se Berisha nuk e zbatoi asnjëherë këtë vendim Gjykate, SPAK iu drejtua Kuvendit për ashpërsim të masës, në arrest shtëpie. Për rrjedhojë, me 75 vota pro, Kuvendi i hoqi Berishës imunitetin e deputetit dhe sot ish-kryeministri po përballet me drejtësinë si një qytetar i thjeshtë. /Telegrafi/