Telegrafi

Shtyhet përsëri vendimi për operim, Pogba para dy opsioneve kirurgjike

(Foto: Instagram/paulpogba)

Konsultimi i specialistëve për dëmtimin e gjurit të Paul Pogbas do të shtyhet për nesër (e martë), pasi Juventusi dhe përfaqësuesja e Francës duan të jenë të sigurt në rast se ai do të mungojë në Kampionatin Botëror.

Lëndimi i meniskut anësor në gjurin e tij të djathtë ndodhi gjatë një seance stërvitore në turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Para se të bëjë një paraqitje zyrtare me fanellën e Bianconerëve, Pogba është para një vendimi që mund ta transformojë të gjithë karrierën e tij.

(Foto: Instagram/paulpogba)

Futbollisti është dashur të kontrollohej sot (e hënë) nga një specialist në Lyon, mirëpo në bazë të njoftimeve, është shtyrë sërish për nesër (e martë).

Lexo po ashtu Pogba përgatitet për vendimin kyç pas lëndimit, të hënën udhëton për në Francë

Janë dy opsione për ndërhyrjen kirurgjike: Ose mund të hiqet një pjesë e meniskut dhe Pogba të jetë jashtë fushe për një deri në dy muaj; ose mund ta qepë lezionin që do të ofronte një rregullim afatgjatë për problemin e përsëritur të gjurit, mirëpo në këtë rast do të mungonte në Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’.

(Foto: Instagram/paulpogba)

29-vjeçari duhet të vendosë nëse do t’i japë përparësi zgjidhjes afatshkurtër apo të zgjidhë një herë e mirë problemin që kishte ndikuar në paraqitjet e tij për Manchester Unitedin gjatë dy viteve të fundit.

Në ndërkohë, Juventusi dëshiron të mësojë për kohëzgjatjen e mungesës së mesfushorit, pasi duhet të dijë si të vazhdojë në tregun e transferimeve. /Telegrafi/