Megjithëse kishte paraparë që sot t’i priste në vilën e tij në Rugovë liderët e partive politike, për të debatuar për demarkacionin me Malin e Zi, Ramiz Kelmendi e ka shtyrë këtë takim për të mërkurën.
Kelmendi për KosovaPress tha se takimi është shtyrë për dy ditë, pasi që nuk gjenden në vend disa nga liderët dhe deputetët e ftuar në takim. Megjithatë, ai tha se deri tani pjesëmarrjen e ka konfirmuar vetëm lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Po i bëjmë përgatitjet për mbajtjen e këtij takimi të mërkurën dhe se ky takim është shtyrë si pasojë e mungesës së disa deputetëve në vend. Deri tani pjesëmarrjen e ka konfirmuar vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj. Jam në bisedime dhe me liderët e pozitës”, tha deputeti i pavarur Ramiz Kelmendi.
Ndryshe, Kelmendi kishte ftuar liderët e partive politike që të takohen në vilën e tij në Rugovë, sot nga ora 12:00, për të diskutuar çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Krejt ky takim sipas biznesmenit do të bëhet pa prezencën e ndërkombëtarëve.
Në ftesën e hapur drejtuar liderëve institucional e politik të Republikës së Kosovës thuhet se kjo ftesë po bëhet, bazuar në rrethanat e reja, polarizimin e tejskajshëm të skenës politike, rëndësinë dhe ndjeshmërinë e brendshme dhe të jashtme të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe dy proceseve tjera që na presin, Asociacioni i komunave dhe demarkacioni me Serbinë.