Telegrafi

Shtyhet mbledhja e KQZ-së, Elezi: Me gjithë sfidat, po vazhdojmë përgatitjet për zgjedhjet në veri

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e paraparë të mbahet këtë të martë është shtyrë për një ditë më vonë, ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi.

Në një deklarim për media, ai tha se anëtarët e KQZ-së kanë konsideruar se iu duhen më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje.

Lexo po ashtu Shefi i kabinetit të Presidentes: Lista Serbe dhe Beogradi nuk do të kenë të drejtën e vetos për të penguar zgjedhjet në veri

“Mbledhja e paraparë që të mbahet sot është shtyrë për ditën e nesërme pasi anëtarët e KQZ-së konsideruan se do t’u duhen më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara për ditën e sotme”, u shpreh Elezi.

Sa i përket zgjedhjeve që pritet të mbahen në katër komunat në veri të vendit, ai deklaroi se KQZ-ja po vazhdon përgatitjet në kuadër të planifikimeve.

“KQZ-ja në fillim të muajit mars ka miratuar planin operacional dhe të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore. KQZ-ja po vazhdon përgatitjet në kuadër të këtyre planifikimeve. Kemi parasysh edhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces zgjedhor, por si KQZ jemi të përkushtuar që t’i përmbushim detyrat tona kushtetuese dhe ligjore me qëllim të organizimit të këtij procesi zgjedhor”.

I pyetur se a ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Elezi tha se KQZ-ja është institucion që ka për detyrë të përgatis një proces zgjedhor në aspektin teknik.

“Aq sa i takon KQZ-së, ne jemi duke i kryer detyrat tona kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, përfundoi ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. /Telegrafi/