Për shkak të mungesës së kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shtyrë debati parlamentar për politikën e jashtme në Kuvend.
Iniciuesi i këtij debati, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se është e pakuptimit mbajtja e debatit pa prezencën e dy bartësve të politikës së jashtme të Kosovës.
“Një debat i tillë për politikën e jashtme nuk ka asnjë kuptim të mbahet dhe mos të kemi prezent edhe ministren e Jashtme dhe kryeministrit për disa çështje që vazhdojnë të jenë shqetësim i yni dhe ne presim të kemi përgjigje nga kryeministri dhe ministrja e Punëve të Jashtme. Në dakordim edhe me grupet e tjera parlamentare kemi vendosur që ky debat të mbahet në seancën e radhës me prezencë të kryeministrit dhe ministres”, tha ai në seancën e sotme plenare.
Në seancën e sotme pos deklarimeve jashtë rendit të ditës, ishte paraparë edhe debati parlamentar për politikën e jashtme. Ndërsa është paraparë shqyrtimi i disa projektligjeve. Aktualisht seanca po vazhdon me deklarimet jashtë rendit të ditës.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, i ka përmendur masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë, duke thënë se duhet përkujtuar përherë.
“E kemi për detyrim që t’i kujtojmë martirët për çka falë tyre, kemi lirinë e drejtësia vazhdon të jetë e munguar”, tha ai. /Telegrafi/