Kryeministri britanik Boris Johnson ka pranuar një zgjatje të Brexit deri më 31 janar dhe u bëri thirrje krerëve të BE-së të mos lejojnë vonesa të mëtejshme, ndërsa ai bën presion për një zgjedhje të përgjithshme para fundit të vitit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ambasadorët nga 27 vendet e tjera anëtare të BE-së miratuan të hënën një “shtyrje” që mund të zgjasë deri në fund të janarit, por që i jep Mbretërisë së Bashkuar mundësinë që të largohet nga blloku më shpejt, nëse marrëveshja e tij e tërheqjes është ratifikuar.
Në një letër drejtuar Donald Tusk, presidentit të këshillit të BE-së, kryeministri britanik e quajti zgjatjen një “zgjatje të padëshiruar” dhe tha se ai do ta “preferonte shumë atë nëse parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar mund të kishte vepruar me shpejtësi për të ratifikuar marrëveshjen e arritur midis nesh”.
Johnson ka shtuar se perspektiva e një vonese tjetër ishte “gërryerja e besimit të publikut në politikë” dhe tha se shtytja e tij drejt zgjedhjeve ishte e nevojshme për të shmangur vonesat e mëtejshme.
“Unë gjithashtu do t’i nxisja vendet anëtare të BE-së të sqarojnë se një zgjatje e mëtejshme pas 31 janarit nuk është e mundur”, ka shkruar ai. “Kjo është kohë e mjaftueshme për të ratifikuar marrëveshjen tonë”. /Telegrafi/