Telegrafi

Shtrenjtohet edhe uji

Nga 1 janari qytetarët e disa komunave në Kosovë do të paguanë më shumë për ujin.

Mesatarja e tarifës së aplikueshme në nivel të vendit për shtatë regjionet ku ky shërbim është i rregulluar nga aspekti ekonomik për konsumatorët shtëpiakë është 0.42 €/m3, e për konsumatorët joshtëpiakë 0.87 €/m.

Ngritja e tarifave volumetrike të shërbimeve publike të ujit për nga 0.01 €/m3 do t’i ngarkojë faturat e shërbimeve të ujit që ofrohen nga; KRU “Prishtina” sh. a. Prishtinë, KRU “Hidroregjioni Jugor” sh. a. Prizren, KRU “Radoniqi” sh. a. Gjakovë, KRU ”Hidrodrini” sh. a. Pejë dhe KRU “Bifurkacioni” sh. a. Ferizaj, për shërbimet e ofruara për të dy grupimet e konsumatorëve të klasifikuar si grupime të Konsumatorëve Shtëpiakë (bashkësitë familjare) dhe të Konsumatorëve Jo-Shtëpiakë (komercial-industrial dhe Institucionet).

Thuhet se ngritja e tarifave volumetrike për 5 KRU për vitin 2015 mund t’i atribuohet ngritjes së shpenzimeve të drejtpërdrejta të operimit, pasi që kemi pas ngritje të tarifës së energjisë elektrike dy herë radhazi gjatë vitit 2014.

Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim, aprovoi ngritjen e tarifave volumetrike të shërbimeve publike të ujit të pesë nga shtatë Kompani Regjionale të Ujësjellësit për vitin 2015 dhe përcaktoi metodologjinë e rishikimit të rregullt të tyre për vitet 2016 dhe 2017.

Tarifat volumetrike të vitit 2014 do të ngritën për nga 0.01 €/m3 në vitin 2015 te 5 KRU, me mundësi rishikimi për to dhe dy të tjerat për përshtatje me lëvizjet inflatore në vend gjatë të njëjtit vit dhe gjatë viteve pasuese 2016 dhe 2017, duke marr parasysh edhe aspektet e performancës dhe efiçencës së kompanisë etj.