Site icon Telegrafi

Shtrenjtimi i rrymës paralajmërim edhe për ngritjen e çmimeve të produkteve të tjera në Kosovë

Foto: Ilustrim

Për familjen katër anëtarësh Makovci nga Millosheva e Komunë së Obiliqit, një rritje e re e çmimeve të produkteve do të ishte vështirë e përballueshme.

Të ardhurat mujore në familjen e saj nuk kalojnë mbi 400 euro. I vetmi i punësuar është djali i saj, i cili punon si shofer taksie.

“Nuk e di si do t’ia bënim… Do të blejmë gjëra më pak. Edhe ashtu janë shtrenjtë. Nëse para më shumë se një viti me 100 euro kam blerë disa nga produktet për një muaj, tani ato janë dyfish më shtrenjtë”, thotë kryefamiljarja Sherifja.

“Me shumë vështirësi e mbyllim muajin. Kemi shpenzime jo vetëm për ushqime, por edhe për rrymën, ujin, mbeturinat e të tjera”, shton ajo.

Në Kosovë, si gjetiu në botë, inflacioni ka nisur të rritet në fund të vitit 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia COVID-19, ndërsa ka marrë hov nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

Por, një rritje të re të çmimeve janë duke e paralajmëruar përfaqësuesit e bizneseve dhe pronarët e kompanive prodhuese. Kjo, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Nga 1 prilli, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike me rritje prej 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Lexo po ashtu Vendos ZRRE-ja, rryma shtrenjtohet 15 për qind nga 1 prilli

Kosto shtesë në prodhim

Kjo rritje rrit edhe kostot e prodhimit, thotë Sylejman Konushevci, pronar i një fabrike të vajit në Kosovë.

“Për momentin, një litër vaj është 1.15 euro deri në 1.20 euro [çmimi i furnizimit]. Ne nuk mund ta ruajmë këtë çmim që e kemi tani me këtë rritje të rrymës që është bërë. Jam i sigurt që një litër vaj do të bëhet deri në 1.30 euro”, thotë Konushevci.

Bindje të ngjashme shpreh edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është lajm i mirë për bizneset. Kjo rritje është një kosto shtesë për prodhuesit vendorë dhe do të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të tjera”, thotë Rafuna.

Për më tepër, shton ai, rritja e tarifave të energjisë elektrike i vendos prodhuesit vendorë në një konkurrencë të padrejtë me kompanitë që eksportojnë në Kosovë.

“Shtetet si Gjermania, Italia, Kroacia – qeveritë e tyre u kanë subvencionuar bizneseve dallimin e çmimit të rritur të energjisë elektrike. Kjo, me automatizëm, nuk ka ndikuar te prodhuesi që të ketë kosto shtesë, që pastaj ta nxjerrë produktin me çmim më të lartë te konsumatori”, thekson ai.

Prodhuesit në Kosovë vazhdimisht janë ankuar për konkurrencë të padrejtë, norma të larta të interesit dhe politika të pafavorshme fiskale.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se për shkak të kësaj gjendjeje, prodhimet vendore janë shpesh më të shtrenjta se ato që importohen.

Rafuna thotë se prodhuesit nuk kanë gjetur përkrahje nga institucionet e shtetit.

“Ka munguar dialogu publiko-privat. Ne jemi duke kërkuar që të vendoset një komunikim i drejtë dhe transparent mes bizneseve dhe Qeverisë. Jemi duke kërkuar që para se të merret ndonjë vendim, të diskutohet me bizneset për t’i ditur efektet që mund t’i ketë një vendim përkatës”, shton Rafuna.

Lexo po ashtu Shtrenjtimi i rrymës, Kurti: Do t’i mbështesim qytetarët që shpenzojnë deri në 800 kWh energji elektrike

Qeveria e Kosovës, në të kaluarën, ka ndërmarrë disa nisma, si “Super Puna”, e cila i ka subvencionuar pronarët e kompanive, duke ua paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh.

Kryeministri Albin Kurti është zotuar se Qeveria që ai drejton do të vazhdojë t’i mbështesë qytetarët.

“Mbështetja jonë për qytetarë do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë [për shtrenjtimin e rrymës], ku, ndër të tjera, do t’i subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovate në muaj, kurse grupet e cenueshme, siç janë familjet me asistencë sociale, do të kenë trajtim të veçantë”, ka thënë Kurti për gazetarët.

Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Secili konsumator që kursen së paku 5 për qind të faturës, përfiton subvencion sa dyfishi i përqindjes së kursyer. Ky subvencionim i Qeverisë është ende në fuqi.

Sherifja tregon se faturën e fundit të energjisë elektrike, e ka paguar 32 euro. Me shtrenjtimin prej 15.4 për qind, ajo do t’i rritet për afro 5 euro.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti. /REL/

Exit mobile version