Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit u demantua nga zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, lidhur me përshkrimin e asaj që është biseduar sot në takimin mes tyre.
Zëvendës sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka bërë përshkrimin e drejtë të takimit që kanë pasur të mërkurën për aplikimin e mundshëm të Kosovës për pranim në këtë organizatë.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi tha se përfaqësimi jo dinjitoz i Bislimit dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kjo ndodh kur Kosova me të drejtë kërkon përshpejtimin për anëtarësimin e saj të domosdoshëm në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi demantohet rëndë nga zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës, zotëri Berge, i cili thotë se ajo çka kam biseduar me zotëri Bislimin nuk është ajo çfarë ai ka paraqitur”, tha Halimi, transmeton Telegrafi.
Ajo tha se ky është një skandal i madh diplomatik, që po i kushton rëndë vendit tonë.
“Është një përfaqësim jo dinjitoz nga z. Bislimi, i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, institucion ky që kishim gjasa të mëdha për anëtarësim, pas suspendimit të Rusisë”.
“Andaj, LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Bislimit, pasi i njëjti nuk është i denjë për të përfaqësuar vendin tonë në politikën ndërkombëtare. Rrjedhimisht Kosova po e paguan çmimin e paaftësisë së tij”, tha ajo.
Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, nënkryetarja e LDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj huqjes së zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi pas takimit që bëri me zëvendës-sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Çitaku, në Twitter tha se deklarata e Bislimit ka dëmtuar rëndë agjendën e Kosovës.
Sipas Çitakut, ky veprim është mungesës e profesionalizmit, dhe përpos që është skandal, është edhe e dëmshme për Kosovën. /Telegrafi/