Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shpjeguar përfitimet dhe arritjet pas emetimit të Bonove të Diasporës, duke theksuar se investimi në këto bono ka qenë i suksesshëm dhe ka ndihmuar në zhvillimin e vendit.
“Javën që lamë pas, u bënë 3 vjet prejse emetuam Bonot e Diasporës. Kjo njëkohësisht shënon edhe datën e maturimit të Bonos 3-vjeçare, që i bie se bashkë me këstin e fundit të interesit, investitorëve që kanë pasur në posedim Bonot 3-vjeçare u është kthyer edhe investimi origjinal. Paratë e investuara i patëm shfrytëzuar për të ndihmuar qindra biznese prodhuese në rritjen e kapaciteteve prodhuese,” ka shkruar Murati.
Ai shtoi se investimi në Bono Thesari të Kosovës jo vetëm që rrit zhvillimin e vendit, por ofron edhe leverdi financiare për investitorin, pasi është i garantuar nga shteti dhe investimi kthehet gjithmonë në kohë dhe i plotë.
“Pjesa e investitorëve që kishin investuar në Bono 5-vjeçare, do të vazhdojnë të marrin këstet e interesit edhe për dy vite tjera, me ç’rast edhe u kthehet investimi origjinal,” theksoi Murati.
Mirëpo deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për mashtrime dhe manipulime në lidhje me deklaratat e tij për emetimin e Bonove të Diasporës.
Bajrami thekson se postimi i ministrit Murati, ku ai flet për Bonot e Thesarit të diasporës, është i pasaktë dhe i paqartë, duke mos përmendur asnjë shifër konkrete për të treguar suksesin e këtyre bonove.
Ajo e kritikoi atë për mungesë transparence dhe manipulim të publikut.
“Në postimin e tij nuk përmendet asnjë numër, asnjë shifër – tamam postim për të mashtruar. Ministri nuk tregon sa bono kishte blerë diaspora dhe sa ishte fondi që ndihmuan bizneset. Për t’ju informuar unë, oferta e Hekuranit për diasporën ka qenë rreth 100 milionë euro investime në Bono Thesari. A e dini sa bono Thesari ka blerë diaspora? Vetëm 10.4 milionë euro,” ka shkruar Bajrami.
Ajo theksoi se diaspora ka blerë 9.1 milionë euro bono me maturim 5-vjeçar dhe 1.3 milionë euro bono me maturim 3-vjeçar, që përbëjnë vetëm 10% të kapacitetit investues të ofruar. Bajrami po ashtu kritikoi qeverinë për dështimin e saj në implementimin e politikave dhe menaxhimin e buxhetit, duke vënë në dukje se qeveria ka vjelë qytetarët përmes inflacionit, por ka dështuar të ndërtojë kapacitetet e duhura për zbatimin e politikave.
“9 shkurti po vjen, mos harroni kush ua vodhi 4 vite me broçkulla,” përfundoi ajo./Telegrafi/