As të hënën nuk pati lajm të mirë për Erxhanin. Në Prizren nuk është hapur asnjë vend i ri pune. Ai do të duhet të trokas përsëri të nesërmen në derën e zyrës për punësim për të mësuar nëse dikush kërkon saldues.
“Prej janarit vijë ditë për ditë”, thotë ai me shpresën se shteti do t’ia gjejë një punë.
Gjasat për tu angazhuar në profesionin që ka duket të jenë të vogla, megjithatë bashkë me 1697 bashkëqytetarë presin në listën e të papunëve.
Prizreni sipas të dhënave të Ministrisë së Punësimit me këtë shifër shënon numrin më të madh të punëkërkuesve në Kosovë.
Ndërkaq, në nivel të përgjithshëm të vendit numri i qytetarëve që kanë kërkuar punë vetëm në periudhën kohore janar-nëntor 2016 është 19 mijë e 142 apo 2,158 qytetarë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Por shumëfish më pak vende pune janë hapur nga fillimi i vitit e deri më tani.
“Numri i qytetarëve që kanë arritur të punësohen përmes zyrave të punësimit gjatë periudhës janar-nëntor 2016 është 6 mijë 566”, thonë Musa Demiri, zyrtar për informim në MPMS.
Përafërsisht është numër i njëjtë i atyre që gjetën punë vitin e kaluar përmes kësaj zyre.
Në Prishtinë më shumë gratë kërkojnë punë se burrat
Vetëm në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën këtë vit kanë kërkuar punë 1,407 persona, derisa nuk ka të dhëna për numrin e atyre që janë punësuar. Por, në listë shihet se presin më shumë gra (798) se burra (612) për punë.
E kundërta është në Gjakovë. Në këtë qytet kërkojnë punë 686 burra e 506 gra.
Numër i madh i punëkërkuesve është edhe në Ferizaj, i cili radhitet i katërti në vend me 1,119 qytetarë të regjistruar në zyrën për punësim.
Pas tij, radhitet Mitrovica dhe Vushtrria me nga rreth 900 punëkërkues. Prej tyre pjesa më e madhe janë burra.
Ndërkaq, nga të gjitha komunat e Kosovës, më së paku punëkërkues këtë vit janë regjistruar në Partesh. Në këtë vend vetëm 14 veta kanë kërkuar punë nga janari deri në nëntor.
Dyshime për punësim
Nëse është për tu besuar raporti i fundit i Agjencisë se Statistikave të Kosovës, prej janarit të këtij viti e deri më tani, në Kosovë do të duhej të ishin punësuar gjithsej 45 mijë persona.
Kështu, pasi papunësia sipas ASK-së, tash del të jetë 26.2 për qind, nga 32.9 për qind sa ka qenë në fund të vitit 2015, shkruan Gazeta Fjala.
Agjencia e vetme zyrtare e të dhënave statistikore thotë se për gjashtë muaj papunësia ka rënë për 7 për qind, e që për njohës të ekonomisë vlerësohet e pamundur. Madje thonë se ASK po fabrikon të dhëna për interes të qeverisë.
Gazeta ka llogaritur të dhënat e publikuara nga ASK dhe ka krahasuar me vitet e kaluara, por rënia kaq e madhe e papunësisë duket e pazakontë.
Sipas parashikimit të ASK-së në vitin 2014 Kosova ka pasur 1,804,944 banorë. Prej tyre 682,269 banorë të aftë për punë.
Me shkallë të papunësisë të llogaritur nga ky institucion prej 32.9 për qind, të papunë në Kosovë me 31 dhjetor të vitit 2015 kanë qenë 224, 466 banorë.
Por, vetëm gjashtë muaj më vonë papunësia bie në 26.2 për qind.
Tani sipas ASK-së del se në Kosovë janë të papunë 178, 754 qytetarë që i bie se për gjashtë muaj janë punësuar 45,712 qytetarë. /Gazeta Fjala/Telegrafi/