Telegrafi

“Shteti Islamik” vret të paktën gjashtë persona në Egjipt

Ekstremistët e Shtetit Islamik vranë të paktën gjashtë beduinë në një pritë për shkak të bashkëpunimit të supozuar me ushtrinë egjiptiane në Gadishullin Sinai.

Xhihadistët i zunë pritën në zonën malore të Magaras duke ngritur një pikë kontrolli të rremë dhe më pas hapën zjarr ndaj dy automjeteve me beduinë. Beduini i shtatë u zhduk pas sulmit.

Beduinët e vrarë janë nga fisi nomad arab Trabin. Egjipti ka vite që lufton ekstremistët në Sinain verior, raporton timeofisrael.

Dhuna dhe paqëndrueshmëria u intensifikuan pas përmbysjes ushtarake të presidentit, Mohamed Morsi në vitin 2013.

Beduinët, të cilët janë të njohur mirë me terrenin lokal, zakonisht shoqërojnë ushtrinë gjatë patrullimeve dhe kërkimeve në depot e armëve ekstremiste. /Telegrafi/