Site icon Telegrafi

Shteti i Holandës në përkrahje të sistemin prokurorial të Kosovës

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, kanë pritur sot në takim ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Gerrie Williems.

Gjatë këtij takimi Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar ambasadoren Williems, se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është duke u angazhuar për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë prokurorët e shtetit, që ata të funksionojnë në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga askush.

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi e ka falënderuar ambasadoren Williems, për mbështetjen e dhënë në hartimin e draftit të Kodit të Etikës për prokurorët e shtetit, duke vlerësuar se ky dokument është shumë i rëndësishëm për punën e prokurorëve si dhe do të ndikoj në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së prokurorëve.

Kryeprokurori Lumezi, e ka njoftuar ambasadoren Williems, me hapat e ndërmarrë në plotësimin e Prokurorisë Speciale me prokurorë, gjë e cila do të ndikoj në trajtimin e rasteve që janë në kompetencë të kësaj prokurorie, sidomos të atyre rasteve që janë të përfshirë profili i lartë i të akuzuarve, si dhe rastet e shenjëstruara me të cilat në mënyrë intensive është duke u marrë kjo prokurori si dhe prokuroritë tjera në nivel të Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, gjithashtu ka falënderuar ambasadoren Williems për mbështetjen e dhënë për Këshillin Prokurorial dhe ka siguruar se Këshilli sipas planit të punës të vitit 2018 do ta procedojë për miratim Kodin e Etikës për prokurorë.

Ndërkaq, ambasadorja holandeze Willems, ka premtuar që shteti i Holandës do të vazhdojë të ndihmojë sistemin prokurorial të Kosovës, si pjesë e mbështetjes së Holandës për fuqizimin e sundimit te ligjin në Kosovë, si pjesë e procesit të integrimit Evropian, përcjell Telegrafi.

Exit mobile version