Vendet evropiane kanë premtuar të arrestojnë Benjamin Netanyahun dhe Yoav Gallant pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi urdhër-arrest për dy politikanët izraelitë.
ICC akuzoi Netanyahun dhe Gallant për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tyre në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza.
Bëhet e ditur se vendimi i ICC-së për të lëshuar urdhër-arrest nënkupton që dy politikanët izraelitë rrezikojnë të arrestohen në cilindo nga 124 vendet që janë anëtarë të gjykatës.
ICC nuk ka fuqi të zbatojë urdhërat e saj, por teknikisht, çdo vend që ka nënshkruar Statutin e Romës do të jetë i detyruar të arrestojë kryeministrin izraelit ose ish-ministrin e Mbrojtjes.
Disa vende, duke përfshirë Italinë dhe Holandën, deklaruan se Netanyahu dhe Gallant do të arrestoheshin nëse hynin në vendet e tyre.
Guido Crosetto, ministri i Mbrojtjes i Italisë, tha: ”Ne do të duhet t’i arrestojmë ata”.
Ai shtoi se kjo nuk ishte një zgjedhje politike, por se Italia ishte e detyruar si një anëtare e ICC-së të vepronte sipas urdhrave të gjykatës.
Holanda tha gjithashtu se do të respektonte urdhër-arrestet, shkruan the Telegraph.
Kjo pason një thirrje nga Bashkimi Evropian drejtuar shteteve anëtare për të respektuar dhe zbatuar urdhër-arrestet pas vendimit historik të ICC.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kundërshtoi gjithashtu pretendimin e Izraelit se vendimi i gjykatës ishte politik, përcjell Telegrafi.
“Nuk është një vendim politik. Është një vendim i një gjykate, i një gjykate të drejtësisë, i një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë. Dhe vendimi i gjykatës duhet të respektohet dhe zbatohet”, tha Borrell, duke shtuar se vendimi i gjykatës është i detyrueshëm për të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Siç raportohet, edhe vendet e tjera evropiane shprehën mbështetjen e tyre për vendimin e ICC.
Simon Harris, kryeministri i Irlandës, e quajti vendimin një “hap jashtëzakonisht të rëndësishëm.
“Irlanda respekton rolin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Kushdo që është në gjendje ta ndihmojë atë në kryerjen e punës së saj jetike duhet ta bëjë këtë me urgjencë”, tha Harris.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Francës nuk tha se Netanyahu dhe Gallant do të arrestoheshin nëse shkelnin në tokën franceze.
“Është një pikë që është juridikisht komplekse, kështu që nuk do ta komentoj sot”, tha një zëdhënës francez.
Përtej Evropës, Justin Trudeau, kryeministri i Kanadasë, tha se qeveria e tij do t’u bindet të gjitha rregulloreve dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Trudeau deklaroi: “Është vërtet e rëndësishme që të gjithë t’i binden ligjit ndërkombëtar. Ne mbrojmë ligjin ndërkombëtar dhe do të respektojmë të gjitha rregulloret dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare”.
Ayman Safadi, ministri i jashtëm i Jordanisë, tha gjithashtu se vendimi i ICC duhet të respektohet nga shtetet anëtare. /Telegrafi/