Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të caktojë një datë për fillimin e negociatave si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, pa i ndarë ato.
“Si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë vendime të vështira, reforma themelore dhe të dyja meritojnë të ecin përpara në rrugën e tyre drejt BE-së”, tha Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës.
Qëndrimi i Uashingtonit vjen pasi qeveria e përkohshme në Bullgari tha se Shqipëria ishte gati të fillonte negociatat, por jo Maqedonia e Veriut dhe do t’i përmbahej bllokadës së kuadrit negociator në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në 14 dhjetor.
Ndërkohë, Franca, e cila merr presidencën e BE-së nga 1 janari për gjashtë muajt e ardhshëm, ka shpallur një angazhim më të madh ndaj Ballkanit Perëndimor./Telegrafi/